Ish-kryeministri Sali Berisha nga Shkodra u shpreh se nuk është ai që ka sjell Lulzim Bashën në krye të PD. Në fjalën e tij gjatë Foltores përballë demokratëve, Berisha u shpreh se kur Basha ka kandiduar në vitin 2013 nuk e ka mbështetur, por fitorja erdhi për shkak se ai ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe kishte avantazh kundër Sokol Olldashit.
Më tej tha se ka shumë dokumente që faktojnë se Bashës në zyrë i ka bërë shumë kritika, por ky i fundit nuk i ka dëgjuar.
“Vetëm për Ballkanin e Hapur mund të kem marrë dhjetëra mesazhe nga Kosova, se Basha nuk fliste. Por nuk ia thashë. Po është turp i madh, të bëhet dhe Shqipëria vasale Beogradit kjo nuk mund të ndodhte. Ka një filozofi kjo parti, dinjitetin njerëzor dhe dinjitetin kombëtar. Por kësaj partie iu kërkua që një anëtari i saj, një ish-themelues të mos ishte në Parlament. E çfarë bëri kryetari, i vuri shkelmin partisë. Një parti jo sovrane nuk mund të fitojë kurrë zgjedhje, ajo parti mbetet një lëvozhgë opozitë. Por nëse ti na nëpërkëmb në këtë mënyrë, ti kë shpallur një armiqësi, pasi njerëzit e tij nuk i pranojnë këto gjëra. Por cila është e vërteta, unë u garantoj se nuk e kam sjell unë. Humba zgjedhjet dhe mendova për largim të hapja rrugën dhe të vinin të tjerë. Atë verë janë paraqitur vetëm dy vetë. Nuk i kam kërkuar askujt të kandidojnë. Por përveç Bashës dhe Olldashit nuk u paraqitën. Ai fitoi garën se ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe kishte një avantazh.
Por ku qëndron problemi im, përgjegjësia ime, në mbështetjen time që unë i kam dhënë atij publikisht. Unë këtu kam shumë dokumente, unë mund të faktoj shumë gjëra që i kam thënë Lulzim Bashës në zyrë ato që i keni kërkuar dhe ju dhe e kam kritikuar. I kam kërkuar të japë dorëheqjen në 2017, kam thënë se kryetari duhet të jepte dorëheqjen. Por nuk kam ndërhyrë në problemet e brendshme të partisë dhe nuk kisha projekt për rikthimin në krye. Po të hyja pa projekt vetëm se shkaktoja kaos. Por a ishte e drejtë të mos ndërhyja në problemet e PD? Po unë them se nuk ishte e drejtë pasi nëse do të kisha ndërhyrë zhvillimet mund të mos ishin ato që janë sot”, u shpreh ndër të tjera Berisha.