Kreu i PD-së, Sali Berisha është shprehur se opozita nuk i njeh asnjë të drejtë legjitime kryeministrit Edi Rama për të propozuar Presidentin e Republikës. Sipas tij, rrugëzgjidhja e vetme për këtë rast ishte që presidenti të propozohej nga opozita.
Në të kundërt, Berisha tha se Rama merr 100% të pushteteve dhe bëhet si Aleksandër Lukashenko. Megjithatë, kryetari i PD-së theksoi se opozita do të jetë në Kuvend dhe do të votojë kundër propozimit të mazhorancës.
“Ne nuk i njohim të drejtë legjitime Edi Ramës për të propozuar Presidentin e Republikës duke patur parasysh masakrën, batërdinë e madhe zgjedhore që ai bëri me armatën e patronazhistëve, me përdorimin e gjithë segmenteve të shtetit në fushatë elektorale, me përdorimin e Dumanëve dhe bandave dhe sasinë kolosale të parave të krimit. Kemi bindjen më të thellë që rrugëzgjidhja e vetme do të ishte e drejtë: një president i propozuar nga opozita. Edi Rama në vend të kësaj praktike që është ndjekur në rastet analoge në Shqipëri, zgjodhi lojën me kukulla dhe pseudo-opozitë. Një lojë që mund të quhet, si një shpifësirë politike e neveritshme. I kaloi raundet me gjasme po pres nga opozita, manipuloi në mënyrë të paskrupullt dhe tani mbledh Kryesinë për të komunikuar presidentin dhe për të marrë 100% pushtetin në këtë vend, një lloj si Lukashenko. Rama nesër do të quhet në mbarë Europën, Aleksandër Lukashenko biss. Me marrjen e presidencës ai shkon në pushtet absolut. Kjo është një detyrë urgjente e opozitës së vërtetë që t’i japin Edi Ramës përgjigjen më të merituar dhe në kohën më të shkurtër të mundshme. Për të votuar kundër. E kemi një rezolutë në Këshillin Kombëtar. Ne do jemi aty dhe do votojmë kundër”, u shpreh Berisha.