Në orën 09:00 të ditës së sotme, ishte caktuar seanca gjyqësore në Apelin e GJKKO-së për ish-kryeministrin Sali Berisha. Por ky i fundit, vijon me qëndrimin e tij të mëparshëm.
I ndodhur jashtë ambienteve të Parlamentit, një orë para nisjes së seancës maratonë, ai ritheksoi se nuk e pranon kurrsesi “urdhrin e lëshuar nga mercenarët e Edi Ramës”, referuar vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për të.
Zoti Berisha sot kishit dhe datën për t’u paraqitur në Gjykatë.
Sali Berisha: Sot unë jam paraqitur në Parlament, nuk mund të pranoj kurrë përvetësimin që i bën Parlamentit Edi Rama. Ai është një urdhër i Edi Ramës i lëshuar nga një prej mercenarëve të inkriminuar siç është Arben Kraja i cili qëndron në detyrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit të prokurorisë, që e nxjerr jashtë si ish-oficer sigurimi. E tregova unë atë, e patë ju dokumentin, ajo që fshihet prapa krimit, si quhet? Irena Gjoka, e cila fshihet prapa krimit dhe së fundmi, njeriu me lidhjet më të errëta me Taulant Ballën. Pra, ata janë shërbëtorë të mjerë të cilët zbatojnë urdhra të Edi Ramës, ndërkohë i marrin pushtetin Parlamentit, sepse ai është pushtet i Parlamentit, vendimi për të autorizuar organet e drejtësisë. Edi Rama nuk njeh as ligj as moral prandaj ne kemi një betejë pa kthim.
Do ia thonit sot në sy zotit Rama akuzat që është përgjegjës për hetimin tuaj në SPAK?
Sali Berisha: Unë nuk ka diskutim që do t’ia them, po s’ia mbathi, po qëndroi aty…
Por çfarë ndodh nëse Berisha nuk paraqitet sërish në SPAK?
Nëse Apeli lë vendimin në fuqi, atëherë Prokuroria e Posaçme do të kërkojë ashpërsim mase, me autorizimin e Kuvendit.