Ish-kryeministri Sali Berisha iu është përgjigjur interesit të gazetarëve se si do të vijojë rezistenca opozitare ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Berisha përsëriti se deputetët nuk do të largohen nga parlamenti, teksa tha se greva e urisë gjithashtu është një opsion i mundshëm.
“Një gjë ju siguroj ju dhe shqiptarëve që çdo opsion, përfshi grevën e urisë, është 100 përqind i mundshëm. Ne nuk e dorëzojmë Kushtetutën. Ne nga parlamenti nuk largohemi, por në parlament do mbrojmë të drejtat kushtetuese të deputetit, që janë njëkohësisht të drejta kushtetuese të gjithë atyre që kanë votuar opozitën”, tha ish-kryeministri.
Ai shtoi se opozitës po i mohohen të drejtat në parlament, teksa shtoi se mazhoranca nuk pranoi 31 nisma të saj, përfshirë këtu dhe ngritjen e komisioneve hetimore, të cilat sipas tij janë vetëm në interes të qytetarëve shqiptarë.
“Nëse bëni një rishikim të regjistrimeve, në mënyrë të përsëritur kam paralajmëruar zonjën se po shkatërron parlamentin duke shkelmuar Kushtetutën në mënyrë të përditshme. Pas një durimi të zgjatur të deputetëve të opozitë dhe përpjekjes për të rivendosur të drejtat, erdhi një moment kur qenia e tyre në parlamenti ishte fiktive. Kur 600 mijë votues kishin zero përfaqësues në parlament, pasi përfaqësuesve të tyre iu mohohej e drejta. Opozita nuk kishte vota të miratonte votën e tyre, por trajtimi i tyre është detyrim kushtetues dhe kusht për një parlament pluralist. 31 iniciativa ligjore në emër të gjithë shqiptarëve, asnjë prej tyre Edi Rama nuk pranon të paraqiten në parlament dhe komisione. Kjo bëhet që qytetarët mos mësojnë për këto nisma të ndërmarra nga opozita”, tha mes të tjerash Berisha.