Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se antimafia italiane ka dhënë një kontribut të madh në luftën kundër krimit të organizuar në Itali dhe Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij gjatë bashkëbisedimit virtual me shqiptarë në Romë, Berisha theksoi se po të mos ishte antimafia italiane, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të ishte në pozitë më të lartë se zëvendëskryeministri.
“Italia, dua të shpreh mirënjohje, jep një kontribut të madh në luftën kundër krimit të organizuar në të dyja anët e Adriatikut. Antimafia italiane ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në betejën kundër mafies shqiptare. Unë iu garantoj ju, se po të mos ishte antimafia italiane, Saimir skafisti do të ishte sot, mbi zëvendës kryeministër të paktën.
Por ne u jemi mirënjohës, sepse ata bënë një betejë të vendosur kundër organizatave kriminale, që dëmtojnë interesat e qytetarëve italianë dhe qytetarëve shqiptarë”, theksoi kryedemokrati.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është transferuar nga burgu i Fierit në atë të Lushnjës, një muaj më parë. Transferimi është kryer pas kërkesës së familjarëve të tij.
Tahiri është në qeli që prej muajit shkurt kur u dënua nga apeli i GJKKO-së, me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre.