“Klani Rama-Xhafa, pas kullave në Pogradec”
Nga Pogradeci ku u takua me mbështetës të Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike si për konsumatorët familjarë, ashtu edhe për bizneset.
“Do vendosim çmimin 7 lekë për KW. 300 KW e parë mbulojnë 78% të nevojave, fasha e dytë, 100 ose 105 Lekë. Bizneset do e kenë 6 Lekë saç e kishin që t’i lehtësojmë”.
Minimumi jetik tha se do vendoset për çdo qytetar në nevojë si dhe pensionistët.
“Çdo shqiptar që merr nën 200 euro dhe ai që s’merr fare do marrë 200 Euro edhe pensionisti në fshat apo në qytet që merr 170 Euro do marrë 200 Euro dhe ju garantoj që është vetëm hapi i parë se ligji do jetë që çdo vit do indeksohet.”
Një tjetër premtim ishte ai për vendosjen e pagës mesatare 500 Euro në muaj dhe pagesa për çdo orë punë jashtë orarit.
“Sipërmarrjes do i ulim taksat po s’do pranojmë kurrë t’i paguajnë nën 500 Euro, ky është kusht të ecën s’të ecën. Çdo vend ka pagën e orës, dhe në qoftë se jep për orën të vihen drynat”.
Ulja e çmimit të naftës ishte një tjetër premtim.
“Merr fund kjo, s’do ketë plus minus çmimin e Kosovës dhe Maqedonisë”.
Ndërsa gjatë një takimi që pati me urbanistë e aktivistë të këtij qyteti, Berisha hodhi akuza në adresë të Kryeministrit dhe Fatmir Xhafajt se qëndrojnë pas kullave që tha se po ndërtohen, duke shkatërruar trashëgiminë natyrore të UNESCO-s.
“Qytetit i del balozi i ri, i del mafia e do t’ia lidhë sytë, do t’ja shkatërrojë brigjet dhe të tëra për qëllime pasurimi të saj. Pogradecin e sulmojnë dy klanet më të fuqishme të pushtetit, klani Rama apo Xhafaj. Armand Lilo që është autori i këtyre kullave e paraqesin si krushqi të Xhafajt, këtë s’e di, por një gjë është e sigurtë, kanë lidhje me klanin Xhafa”.
Berisha foli për pastrim të parave të drogës dhe krimit.
“Vetëm njëri prej tyre ka transferuar nga bankat e Dubait në ato të Europës 3 miliardë Euro, të gjithë këta kanë një shtyllë dhe ai është Rama”.
I pyetur nga mediat lidhur me vendimin e dhënë nga SPAK-u për Olsi Ramën dha këtë përgjigje: “SPAK-u tregoi se është pjesë e dosjes Xibraka, kaq mund të them. Tregoi që tani nuk kemi vetëm Olsin, por kemi edhe Dumanin anëtar të bandës së Xibrakës”.