Sali Berisha tha sot se “luftës që eksponentë të SPAK-ut të vënë nën diktatin e kryeministrit Edi Rama, i kanë shpallur atij dhe Partisë Demokratike” do t’i kundërpërgjigjet me padi në gjykatë”
“Ata na kanë shpallur luftë, ne jemi në betejë pa kthim. Do paraqesim padi penale për secilin prej tyre.”
Përpara mediave, ripërsëriti se amnistia e kryebashkiakut Erion Veliajt nga treshja e SPAK-ut, Kraja-Prençi-Gjoka në hetimet që po zhvillohen për inceneratorin e Tiranës është krimi më monstruoz në historinë e drejtësisë.
“Grup i organizuar kriminal që përdor pushtetin për të mbrojtur autorët kryesorë të vjedhjes së shekullit.”
Sipas ish-kryeministrit, në bankën e të akuzuarve duhet të ishin Rama e Veliaj.
“Aq sa mund të fusësh një mal në thes, mund të mbulosh hajdutët Erion Veliaj dhe Edi Rama në aferën e shekullit.”
Për të gjithë ata që rikthimin e tij e shohin në këtë përvjetor të 33-të si pengmarrje të Partisë Demokratike rezervoi një përgjigje: “Nuk është përgjegjësia e Sali Berishës ngritja ose mosngritja në lartësinë e kohës të individëve për të konceptuar rikthimet.”
Pa ironizuar nuk la edhe pritjen që Lulzim Basha do të organizojë me rastin e 33-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike: “Sugjerimi im, shkoni tek Taulant Balla.”