Në bashkëbisedimin me gazetarët këtë të premte, kryetari i PD, Sali Berisha, u ndal gjatë te çështja e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal dhe akuzat ndaj Edi Ramës.
Ai u shpreh se “çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi, është faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”.
Berisha paralajmëroi protesta duke theksuar se PD do të udhëheqë revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme popullore
“Akuzat më konkrete ndaj McGonigal janë në dosjen shqiptare. Çdo shqiptar e ka të qartë se ky kryeministër është turpi, është faqja e zezë e këtij vendi dhe do mbetet i tillë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Ndaj siç kam deklaruar, përsëris edhe njëherë vendosmërinë e PD për të udhëhequr revolucionin demokratik dhe përmbysjen e këtij regjimi me një lëvizje të fuqishme popullore të paparë ndonjëherë në Shqipëri.
PD do të krijojë komision hetimor parlamentar me qëllimin e bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e SHBA për zbardhjen në çdo detaj të kësaj afere që ka tronditur SHBA, NATO-n dhe gjithë botën e lirë.
PD po mbledh dhe do dërgojë të gjithë informacionin se në shkelje flagrante të sanksioneve ndaj mikut të tij, oligarkut të Putinit, Deripaska ka vazhduar aktivitetin i pashqetësuar për katër vite që nga momenti i vendosjes së sanksioneve, nga viti 2018 deri në vitin 2022, i paturbuar. Me lobimin apo jo të Charles McGonigal këtë duhet ta sqarojë drejtësia e SHBA. Por ne jemi të vendosur të japim kontributin tonë”, tha Berisha.