Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur Vlorën për t’u takuar me mbështetësit e tij për nismën që ai quan “Foltorja”.
Sipas tij, kjo nismë synon rikthimin e partisë në vlerat mbi të cilat është themeluar.
Ai u prit me ovacione nga mbështetësit. Berisha tha se bashkë me demokratët do vijojë betejën për ta ngritur PD-në dhe opozitën aty ku e meriton.
“Jemi mbledhur të betuar, për të ngritur PD dhe të djathtën në vendin që ajo meriton,”- theksoi ish-kryeministri.
Berisha u shpreh se Partia Demokratike ka kaluar nga humbja në humbje dhe kjo shtoi ai ka një përgjegjës kryesor: Lulzim Bashën.
“Ne si opozitë kaluam nga dështimi në dështim, kjo është vërteta, që ne duam ta shohim në sy. Pse kjo? Jo se ju nuk derdhët djersë, jo se ju nuk qëndruat, por sepse drejtimi i PD u mbajt nga një njeri, i cili në tetë vite nuk arriti dot të marrë dhe të të sigurojë as votat e 2013”, shtoi Berisha.
“Rama ka tejkaluar çdo rekord të zi në rajon e Europë”
Nga Vlora ish-kryeministri Sali Berisha e akuzoi Edi Ramën për tejkalim të çdo rekordi të zi me qeverisjen e tij, në rajon e Europë.
“Përulem me shumë nderim para jush dhe shpreh nderimin më të madh. Për ne shqiptarët, pas betimit tek zoti, betimi se nga lufta veçse ai largohet është më supremi. Ndaj dhe ne sot jemi mbledhur këtu, të betuar për ta çuar deri në fund këtë betejë, për ta ngritur PD dhe të djathtën shqiptare në zenitin që ajo meriton. Ne vijmë sot pas 8 vitesh të qeverisjes më të keqe që vendi ka njohur nga koha e diktaturës komuniste. Vijmë sot kur Edi Rama, me qeverisjen e tij, ka kaluar, tejkaluar, çdo rekord të zi, në rajon dhe në Europë. E ka shndërruar Shqipërinë në delen e zezë të Ballkanit dhe Europës”.
“Basha lider i thyer, ia kam thënë që në 2017-ën”
Edhe nga foltorja e Vlorës, Sali Berisha nuk i kurseu akuzat në drejtim të Lulzim Bashës.
“Drejtimi i PD për fatkeqësinë e saj, u mbajt nga një njeri i cili pas 8 vitesh nuk arriti dot të sigurojë as votat e vitit 2013. Në vitin 2021, ne jemi 12 përqind më pak në vota se në vitin 2013. Sali Berisha ka përgjegjësinë e tij të padiskutueshme. Në 2017 i kërkova të japë dorëheqjen, në çdo dalje kam thënë, por unë nuk ndërmora atë që me të drejtë ju prisnit, dialogun me ju për largimin e tij. Unë i kisha thënë atij se ti je lider i thyer, me aktet që ti ke kryer në zgjedhjet e 2017-s, ti nuk bëhesh dot lider. Provojë, unë do bëj gjithçka, por je i thyer, se nuk u dilet në pritë bashkëpunëtorëve, një nga një i ekzekuton politikisht se nuk të pëlqejnë ty. Po të jesh burrë u thua, por edhe ato nuk bëhen”.
“Kisha vendosur të mos kthehesha kurrë. Mirëpo rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri”
Sali Berisha tha se kur dha dorëheqjen kishte menduar se ajo ishte përfundimtare. Por siç theksoi ‘rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri po të jesh…’
“Unë u largova dhe në çdo dalje, kam thënë se largimi është pa kthim. Nëse unë imagjinoja të kthehesha unë do vija me projekt. Kisha vendosur të mos kthehesha kurrë. Mirëpo rrethana të tilla të zgjojnë edhe nga varri po të jesh. Për t’i dalë zot…“
Berisha tregon përse Basha nuk mund të jetë kurrë lider
“Nuk bëhesh kurrë lider po nuk u krijua në zemrat dhe mendjet tuaja…” Kështu u shpreh Sali Berisha teksa foli për atë që e quan ish-kryetar të PD, Lulzim Bashën nga qyteti i Vlorës.
“Zotëria në vend të dorëheqjes mendoi për veten e tij. Doli dhe tha është masakër elektorale. Humbje ishte e tmerrshme, Edi Rama vodhi vota dhe unë i sugjerova, i tregova gjithë eksperiencën e vitit 2001, ky në vend se të bënte avokatinë, të denonconte patronazhistët, blerjen e votës, etj, ky u mor me karrigen e tij sepse kishte frikë, e din vetë ai nga kush, por injoroi dhe kjo e dyta është absolutisht tradhëti ndaj jush”.
Berisha për Ballkanin e Hapur
Ai u ndal edhe tek zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, e ku tha se këto janë rezultat i projekteve të “Minishengenit” dhe “Open Balkan”.
“Ja ku janë rezultatet miqtë e mi, rezultate e Minishengenit janë tanket në kufijtë e Kosovës, janë bombarduesit e Beogradit në kufijtë e Kosovës, dhe heshtja e varrit ndaj projektet të Soros dhe Edi Ramës, por mjerisht edhe e ish-kryetari të PD Lulzim Basha. Ne nuk jemi komb jetim”, tha Berisha, referuar situatës në veri të Kosovës.
Kryetar i PD Vlorë, Genc Deromemaj, ka shprehur mbështetjen për Berishën. Ai është drejtuesi i dytë lokal, pas kryetarit të PD Fier, Luan Baçi, që del krah ish-kryetarit të PD-së.