Sali Berisha ka folur në konferencën për mediat edhe për kërkesën e SPAK për të arrestuar ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Berisha u shpreh se kreu i kësaj afere është kreu i qeverisë, Edi Rama.
Ai tha se Ahmetaj ka përgjegjësitë e veta të padiskutueshme. Megjithatë në fund uroi që Ahmetaj të tregojë se ku ishte kur Rama i shkoi me avion të posaçëm për t’iu marrë firmën.
“Lidhur me rastin konkret, duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo zbatim të ligjit shtoj këtu se në mënyrën më të padiskutueshme kreu i Meduzës së kësaj afere ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama. Është Edi Rama që deklaroi se firmosja fap, fap, fap kur nuk duhej të firmoste kurrë. Ta ndjekim procesin. Në qoftë se më pyet mua, ministri i Financave nuk ka asnjë diskutim që ka përgjegjësitë e veta, për mua, të padiskutueshme, qoftë me veprimin, qoftë me mosveprimin. Ka disa vende ku nuk ka firmos, nuk ka firmosur, por nuk ka vepruar. Uroj tu thotë shqiptarëve që si ia imponoi Edi Rama, ku ishte kur Rama i shkoi me avion për t’i imponuar firmosjen. Nga ana tjetër, kurrë, ligji mëshirë për frikacakun nuk ka. Pra nuk ia them si rrethanë lehtësuese, por si një detyrim i fundit, tu thotë shqiptarëve ku ishte kur Rama i shkoi me avion të posaçëm për t’i marrë firmën”, tha Berisha.
Në kërkesën që SPAK ka depozituar në Kuvend, Ahmetaj akuzohet për 3 vepra penale; korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë e fshehje pasurie. SPAK e akuzon Ahmetajn për korrupsion në 6 raste.