Politika Berisha për deklaratat e Erdogan: Vëllazërinë e kemi me njëri-tjetrin, të tjerët...

Berisha për deklaratat e Erdogan: Vëllazërinë e kemi me njëri-tjetrin, të tjerët i kemi miq

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar nga Rrësheni deklaratat e Presidentit Erdogan gjatë vizitës në Tiranë. Berisha u ndal tek deklarata e Erdogan për vëllazërinë mes shqiptarëve dhe turqve.

Berisha u shpreh se “vëllazërinë e kemi me njëri-tjetrin ne këtu brenda kombit, të tjerët i kemi miq”.

“Vjen këtu Presidenti i Turqisë, i mirëseardhur çdo burrë shteti që vjen, por prisni miqtë e mi. U thotë në parlament pasi kërcënon qytetarët shqiptarë për Feton u thotë se me vëllazërinë ka rregulla. Mirëpo ju e dini që në doktrinën fetare islame zhvillohet koncepti jo i kombit, por i vëllazërisë. Ne shqiptarët kurrë nuk e kemi pranuar këtë. E kemi pranuar islamin ndaj dhe unë jam shprehur se islami ynë është europian se po të jetë për të vëllezër janë katolikët e Mirditës, janë ortodoksët e Korçës, janë ata të cilët kanë gjak shqiptar sepse kështu kanë qenë gjithnjë për shqiptarët. Unë isha fëmijë, 6 vjeç, 7 vjeç, në familje babai im praktikant sunit mysliman, por në familje festoheshin të gjithë shënjtorët dhe e pyesja pse e festojmë ne këtë babë. Se janë tanët thoshte. Tanët e kishte fjalën për stërgjyshin. Pra vëllazëria është me ne. Ata janë miq, por vëllezër nuk janë në këtë kuptim. Shiko çfarë sjell ky, që të gjitha për interesa kriminale të Edi Ramës, që njëherë thotë jam lider katolik, një herë lider ortodoks, herën e fundit deklaroi kush të tha që nuk jam lider mysliman. Ti fenë mund ta ndërrosh sa herë të duash, por problemi është që vëllazërinë e kemi me njëri-tjetrin ne këtu brenda kombit, të tjerët i kemi miq. U ndala edhe në këtë aspekt për të kuptuar çfarë rëndësie jetike ka të rikthejmë pluralizmin dhe vlerat”, u shpreh Berisha.