Sali Berisha ka komentuar dhe ardhjen e Shefes së Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE në Shqipëri Audrey Glover.
Berisha u shpreh se raporti i saj i 4 viteve më parë për zgjedhjet e zhvilluara në vend ishte më profesionali i shkruar ndonjëherë.
Por sipas tij, ky raport u injorua nga qeveria, opozita dhe eksponentë të komunitetit ndërkombëtar.
“Nuk ka as dashuri e as armiqësi të përjetshme. Audrey Glover në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport shumë profesional dhe unë e kam vlerësuar raportin e saj. Nëqoftëse raporti i zonjës Glover do të merrej me seriozitetin më të madh nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar, Shqipëria nuk do të ishte kurrë në këtë gjendje, por raporti i saj u injorua nga opozita, e cila duhet ta kishte bazë kryesore për transformim në kuadrin ligjor. Ai raport u shpërfill në mënyrë të tmerrshme nga qeveria dhe eksponentë të caktuar të komunitetit ndërkombëtar. Por është raporti më profesional që mund të jetë shkruar ndonjëherë për procesin zgjedhor”, tha Berisha.
Kujtojmë se Glover u shpreh në konferencën e sotme për shtyp se do të takojë cilindo të përfshirë në procesin e zgjedhjeve, duke lënë kështu hapur mundësinë për një takim me Sali Berishën, edhe pse ky i fundit është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe.