Kryesore Berisha për krimet zgjedhore: Banditët ofruan nga 10 mijë euro për komisionerët....

Berisha për krimet zgjedhore: Banditët ofruan nga 10 mijë euro për komisionerët. Bandat e Dubait ndikuan në Durrës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë këtë të premte në një konferencë për gazetarët për të folur lidhur me procesin zgjedhor. Ai akuzoi Policinë e Shtetit për bashkëpunim me bandat kriminale që sipas tij pushtuan qendrat e votimit më 14 Maj.

Berisha është ndalur qark më qark, duke thënë se sa lekë janë blerë votat për 14 majin. Berisha tha se çmimi varionte nga 600 euro për një votë deri në 10 mijë euro për një komisioner. Ai thekson se vullneti i qytetarëve është tjetërsuar nga banda të ndryshme.

“Farsa elektorale 14 maj 2023 njërin prej aspekteve më të shëmtuara kishte shkrirjen në një të bandave me Policinë e Shtetit nën veprimin e tyre terrorizues, kriminal ndaj zgjedhësve dhe qytetarëve. Bandat u bënë një apo ishin tërësisht nën ombrellën e policisë, ndaj tyre narko-policia jo që nuk mori masa, por u mor me inskenime të turpshme për opozitarët në një kohë kur kamionat me euro qarkullonin në krahun e narko-qeverisë.

Në Shkodër, eksponentë tanë të PD u telefonuan nga banditët, u kërcënuan, u ofruan gjer në 20 milionë lekë për komisionerë nga 10 mijë euro për komisionerë, në Lezhë nën mbrojtjen e Policisë së Lezhës bandat shpërndanë para dhe terror gjatë gjithë natës në zonat e ndryshme të rrethit, diku-diku janë të filmuara dhe aty duken makinat e bandave dhe të policisë në krahun tjetër për të garantuar veprimtarinë e tyre kriminale.

Në Peshkopi, ishin nën mbrojtjen e Ballukes e cila shoqërohej me banditë dhe drejtonte aksionet banditeske elektorale”.

Sipas Berishës, për këto ka edhe filmime.

“10 mijë euro për komisioner, në Lezhë në mbrojtjen e policisë së Lezhës bandat shpërndanë para dhe terror gjatë gjithë natës në zona të ndryshme, diku-diku janë të filmuara dhe aty duket makina e bandave dhe e policisë që po i ruante. Bandat e kthyera nga Dubai, në Durrës dhe vende të tjera diktuan në mbrojtjen e Policisë vullnetin e qytetarëve. Eksponentë të Partisë Demokratike u bënë pre e atentateve të organizuara për eliminimin e tyre, bandat pushtuan qendra e votimit në Velipojë, 600 euro vota në Mamurras, në Nikël, vrasës trafikant bllokuan qendrat e votimit, vunë në presion komisionerët, kurse narko-policia arrestonte një person në makinë dhe e mashtronte opinionin publik se ai po blinte vota, kur ai nuk kishte asnjë qindarkë me vete”, tha Berisha.

Ai u shpreh se ka pasur me qindra thirrje drejtuar policisë për të denoncuar këto raste, por kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë.

“Edhe atë ditë, edhe sot ju them numri i policisë…janë bërë atë ditë me qindra thirrje nga opozitarët, policia ose nuk përgjigjej ose u thoshte: paraqiteni me shkrim ankesën. Në një kohë kur qendra e votimit ishte realisht e pushtuar, nuk lejohej të futej vëzhguesi i autorizuar. Ky është aspekti policesk, por ju them ju se një aspekt tjetër më i shëmtuar dhe policesk ka qenë roli i administratës publike si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij e vendi.”