Kreu i PD-së Sali Berisha ka përshëndetur presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier.
Pas fjalimit të mbajtur të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier në Kuvendin e Shqipërisë, Sali Berisha ka shprehur mirënjohjen e thellë për të. Berisha u shpreh për mediat se Seinmeier ka ndihmuar Shqipërinë dhe interesi i tij për vendin tonë ka qenë gjithmonë prezent.
Berisha tha se Steinmeier vjen këtu si mik dhe kryetar i një shteti që ka ndihmuar Shqipërinë nga viti 90 deri me sot me mbi 1 miliardë e 300 milionë euro.
Por ajo që theksoi më shumë Berisha, është fakti që presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier i ka qëndruar pranë presidentit Bujar Nishani në momentet e tij kritike të jetës dhe për këtë gjë e falenderon në emër të Partisë Demokratike.
“Një vend që ka mbështetur Shqipërinë në të gjithë përpjekjet e saj për të vendosur demokracinë dhe ekonominë e tregut. Si ministër i Jashtëm, ai ka mbështetur çlirimin e Kosovës së bashku me qeverinë e vendit të tij. Interesi i tij për Shqipërinë dhe shqiptarët ka qenë gjithmonë prezent. Kam mirënjohje për kujdesin e tij njerëzor tejet të çmuar që tregoi për presidentin Bujar Nishani në momentet më kritike të jetës së tij.
Me këtë rast, i shpreh mirënjohjen më të thellë për aktin dhe gjestin e tij shumë njerëzor në mbështetje të përpjekjeve të presidentit Nishani në sëmundjen e tij”, tha Berisha.