Politika Berisha për sulmet kibernetike nga Irani: Akt zuzar, dhunim i sovranitetit të...

Berisha për sulmet kibernetike nga Irani: Akt zuzar, dhunim i sovranitetit të vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar sulmet kibernetike ndaj sistemeve digjitale në vendin tonë, të cilat u sponsorizuan nga Republika Islamike e Iranit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se sulmet përfaqësojnë dhunimin e sovranitetit të vendit.

Sipas tij, çmimin për këtë do e paguajnë qytetarët shqiptarë.

“E konsideroj një agresion ndaj shtetit shqiptar, sulmin kibernetik të ajatullahëve të Teheranit ndaj sistemit digjital të Shqipërisë. Në një akt zuzar, regjimi iranian ka sulmuar dhe e vërteta është ka devastuar sistemet digjitale të vendin, çmimin e madh për të cilin e paguajnë qytetarët shqiptarë në shërbime, në sigurinë e tyre.

Sulmi është shtrirë tashmë edhe në sistemin e Gjendjes Civile. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këto sulme, që në një formë përfaqëson dhunimin e sovranitetit të vendit. Dënoj qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë së Edi Ramës”, theksoi kryedemokrati.