Kryesore Berisha për vendimin e Gjykatës së Strasburgut: Unë nuk jam bërë pengesë...

Berisha për vendimin e Gjykatës së Strasburgut: Unë nuk jam bërë pengesë për hetimin e ’21 janarit’

Gjykata e Strasburgut ka dalë në përfundimin se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e më pas moszbardhjen e vrasjes së Aleks Nikës në 21 janar. Lidhur me këtë, ka pasur edhe një reagim nga ana e Sali Berishës, i cili tha se ai nuk është bërë pengesë për hetimet.

“Nuk e kam lexuar, por siç e ti di, nuk ka pasur dhe nuk do ketë kurrë pengesë hetimi nga Sali Berisha, si është bërë hetimi dosja është aty, nuk kam asnjë kundërshtim”, tha Berisha.

Ndërkohë, duke u ndalur të zhvillimet politike, Berisha konfirmoi edhe një herë se do të vijojnë protestat në Kuvend, deri sa të marrin të drejtat që ai thotë se u janë mohuar deputetëve të opozitës.

“Diskutuam për të vazhduar protestën në parlament, si deputetë që përfaqësojnë një opozitë me të drejta të mohuar, dhe për të vazhduar përpjekjet për rivendosjen e këtyre të drejtave kushtetuese, pa të cilat pluralizëm politik në parlament nuk ka. Natyrisht, Edi Rama për pushtetin e tij sakrifikon parlamentin, por qytetarët shqiptarë nuk do pajtohen kurrë me sakrifikimin e parlamentit për pushtetin e një njeri të inkriminuar në shkallën më të lartë, të një njeriu që po përpiqet të ndryshojë ligjet për t’i shpëtuar përgjegjësive për firmat që ka vendosur, të një njeriu që po mbyll me disa drejtorë, hetimin e inceneratorit të Tiranës, të cilët janë absolutisht të përgjegjshëm para ligjit, por nuk janë kurrë njerëzit më kryesorë, sepse më kryesorë në djegësin e Tiranës është Erion Veliaj dhe nuk ka diskutim, Edi Rama që firmos për t’i dhënë 8 pikë bonus një kompanie, për të cilën ishte njoftuar që nuk ekziston dhe që do themelohej 9 muaj mbrapa, vetëm një ditë para se qeveria ta shpallte fitues për djegësin e Tiranës”, përfundoi Berisha.