Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vizitoi banorët e zonave të përmbytura në Kuç të Shkodrës, nga ku deklaroi se ajo që po ndodh “është dëshmi e plotë e papërgjegjshmërisë”.
“Mbrëmë kanë hapur tunelet e Komanit, kanë derdhur nga porta e Vaut të Dejës 2 mijë metër kub në sekondë, përveçse sa kanë derdhur nga turbinat, të gjitha këto se nuk dilnin dot nga skema e vjedhjeve të tyre. Këto reshje kanë qenë tërësisht dhe plotësisht të parashikuara, qoftë nga Instituti i Gjeoshkencave, që ua ka dorëzuar në zyra këtyre qeveritarëve, që vjedhja ua ka verbuar sytë dhe mendjen, por për hir të së vërtetës, një njoftim jashtëzakonisht serioz ka bërë stacioni meteorologjik italian, që në mënyrë specifike ka parashikuar reshje ekstreme dhe përmbytje në alpet e veriut. Por, të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për Edi Ramën dhe Belinda Balukun, se ata e kanë mendjen të shfrytëzojnë energjinë për të vjedhur. Tani del e thotë që e bëra për të shtuar rezervat, ndërkohë që të gjithë të dhënat tregonin se do të kishte reshje ekstreme, por i kishte sytë te paratë që do vidhnin, që i kishin prokuroria për të blerë 10 milionë euro energji elektrike, nga të cilat së paku 5 milionë i fusin në xhep”, tha Berisha.
“Tani që ka plasur skandali, përpiqen që të mashtrojnë dhe të justifikojnë. E vërteta është se nuk donin të ndalonin vjedhjen. Mbrëmë jam njoftuar vonë shumë, se këta e hapën tunelin, se e kanë në program pune importin dhe nuk e ndërpresin. Gjithçka diktohet nga vjedhja. Ne e kemi deklaruar shumë herë që energjia është shndërruar në një nga mallrat e vjedhjeve më të mëdha. Kjo ishte absolutisht e parashikueshme, e ndalueshme, nëse do prodhohej energji dhe do ulej niveli. Energjia nuk kishte nevojë të blihej. Sot po shesin energji, me një çmim katër herë më të ulët se e blejnë, se e kanë kontratat. Janë verbuar. Qeveria ka qëndrim armiqësor të hapur ndaj Shkodrës. Por, këtë akt e kanë bërë se janë kapur në flagrancë në një vjedhje të paimagjinueshme”, shtoi Berisha.