Kryedemokrati Sali Berisha ka zhvilluar këtë të premte konferencën e fundit me gazetarët për këtë vit. Pasi bëri një bilanc të opozitës përgjatë vitit që po lëmë pas, Berisha u pyet nga gazetarët se çfarë plani ka PD për vitin 2023.
Pyetje: Ju bëtë një bilanc për vitin 2022 ku treguat për sulmet e vazhdueshme të Ramës ndaj opozitës duke lënë të kuptohet ose nënkuptohet që gjatë 2022 opozita ka qëndruar në një cep mund të them dhe thjesht është mbrojtur. A ka PD një plan sulmi për 2023?
Sali Berisha: PD ka vetëm sulm, sulm dhe vetëm sulm. PD ka për mision largimin nga pushteti të monizmit të Edi Ramës. Monizmi duhet të përmbyset. Monizmi është anti-demokraci dhe duhet të përmbyset.
Pyetje: Një vit më parë selia blu blindohej, ju nuk ishit në këtë seli, ndërsa disa nga deputetët qëndronin në këtë seli dhe sot janë bashkuar me ju dhe procesin e rithemelimit të PD. Për vitin 2023 cilat do të jenë përpjekjet e Sali Berishës për të bashkuar gjithë deputetët e PD.
Sali Berisha: Asnjë deputet nuk është nxjerrë nga selia, të garantoj për këtë dhe selia është e deputetëve të PD. Ka ikur Lulzim Basha ka marrë zyra diku tjetër, puna e tij dhe të tjerë. Ne nuk kemi nxjerrë njeri nga selia. Ata janë anëtarë të PD për sa kohë janë të gatshëm të respektojnë statutin e saj. Pastaj është zgjedhja e tyre, jo e imja.