Kryesore Berisha: Pogradeci ndodhet para një agresioni mafioz të klanit Xhafaj

Berisha: Pogradeci ndodhet para një agresioni mafioz të klanit Xhafaj

Në takimin me aktivistët dhe urbanistët e qytetit të Pogradecit, kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh se janë mbledhur në këtë tryezë për të ngritur zërin që të shpëtohet ky qytet, pasuri e njerëzimit.

Sipas tij, pogradecarët nga gjithë banorët e tjerë të brigjeve dhe zonave turistike, kanë qenë shërbëtorët më të mirë të trashëgimisë së tyre.

“Këta bënë që qyteti i tyre të vlerësohet nga UNESCO bashkë me liqenin dhe ti jepet nderimi më i lartë”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati gjatë fjalës së tij në takimin me aktivistët dhe urbanistët e qytetit të Pogradecit u shpreh se nëse qytetarët nuk i dalin zot këtij qyteti, kullat që po ndërtohen do të vazhdojnë gjer në Tushemisht, dhe kur të mbarojë ky territor, do i kthehen territorit tjetër, nga Pogradeci në Lin.

“Armand Lilo që përflitet se është autori i këtyre kullave, e paraqesin si krushqi të Fatmir Xhafës. Nuk e di nëse kanë lidhje me krushqinë e tyre, por një gjë është e sigurtë. Kanë  lidhje me mafiozin Fatmir, kanë lidhje me klanin e drogës”, u shpreh Berisha.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se, kontrollon çdo leje ndërtimi, si dhe përcakton se kush do ti marrë lejet, si do të bëhet shpronësimi i tokës etj.

Sipas Berishës, paratë për kullat që ndërtohen në Shqipërisë vijnë nga baronët shqiptarë të drogës që ndodhen në Dubai dhe në Amerikën Latine.