Në konferencën për shtyp pas tubimit te selia e PD, ish-kryeministri, Sali Berisha tha se protesta do të vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë.
Berisha tha se nuk e morën dot selinë e PD-së pasi ajo ishte blinduar nga Basha dhe u mbrojt nga policia sipas një skenari të parapërgatitur. Berisha e ka konsideruar të panevojshme ndërhyrjen e policisë ditën e sotme ndaj protestuesve, pasi sipas tij, protesta ishte paqësore dhe asnjë demokrat nuk u gërvisht.
Ai tha se shumë shpejt do të njoftonte edhe protestën e radhës, të cilat i paralajmëroi edhe sot gjatë protestës në PD.
“Ndërhyrjen e ka kërkuar personalisht peng Basha. Nderim demonstruesve shqiptarë që e zhveshën para shqiptarëve se kush është. Selia e Partisë Demokratike nuk është e PD-së, por objekt i Ministrisë së Brendshme. PD është bunker i Bashës. Protestuesit paqësorë erdhën aty për çlirimin e godinës. Policia nuk mund të hynte në ndërtesën e një partie politike.
Aty nuk ndodhi asgjë kërcënuese për asnjë njeri. Nuk ka njeri të gërvishtur dhe kjo dëshmon karakterin paqësor te kësaj proteste. Sot fituam jo pak. Kjo protestë hyn në histori si protesta që ndau opozitën e vërtetë nga pseudoopozita”- u shpreh ai.