Pas protestës së 7 korrikut, kreu i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar se aksioni opozitar vijon me të tjera forma.
Berisha në një takim me krerët e degëve në Tiranë u dha disa porosi, duke u kërkuar që të intensifikojnë takimet me qytetarët.
“Protestat nuk ndalen më. 7 korriku ishte hapi i parë, opozita në këmbë, por protestat kur të fillojnë nuk ndalen, do jenë forma të shumëllojta. Kjo qeveri duhet të ikë. S’mund ta mbrojë më SPAK këtë qeveri.
Jo! Do përballet me popullin. SPAK-u është bërë kapaku i të gjitha vjedhjeve të tyre. Ka 4-5 muaj që ka dalë çështja e inceneratorëve, çdo ditë Erion Veliaj me bandën e tij merr 80 mijë euro në ditë nga thesari, nga paratë e taksapaguesve, nga ata që janë në kërkim gjoja, Zoto, Mërtiri, Gugallja.
Tani ju mund të bëni mbledhje seksionesh dhe ua sugjeroj, por do bëni më shumë mbledhje komunitetesh. Tek shkalla, tek pallati, sheshi. Tu lutemi e të bisedojmë me komunitetin. Të kalojmë në komunitet, të përdorim logjikën, të bëjmë debat me qytetarët.
Kërkohet që, verë është kjo, nuk them që të mos merren pushime, sepse keni fëmijë e familje, por do të programoni shumë mirë vazhdimin e punës në mënyrë të pandërprerë. Të përgatitemi për t’i dhënë përgjigjen më të merituar”, tha Berisha.
Kryedemokrati u kërkoi krerëve të degëve të kryeqytetit që të rrisin edhe aktivitetin në rrjetet sociale me qëllim që të përcjellin mesazhin për zgjedhësit.
“Ta përmbysim tërësisht situatën në rrjetet sociale. Ne duhet të dominojmë! Treguesit janë shumë të mirë, por ne duhet ta vlerësojmë këtë. Do insistoni pranë anëtarësisë tonë. Të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin maksimal të rrjeteve sociale.
Hiqeni nga mendja, se e dëgjoni shpesh se nuk fitohet me Facebook. Fitorja është komplekse dhe unë ua them se vetëm me Facebook nuk fitohet, por edhe pa komunikim shumë e vështirë të fitohet. Duhet ta keni shumë të qartë këtë dhe historia ka faktuar se aty ku mediat e mëdha nuk janë në favor të opozitës, përcaktuese ka qenë përdorimi i rrjeteve sociale nga opozita dhe kanë fituar zgjedhjet duke dominuar. A i kemi ne mediat e mëdha? Jo. Nuk janë në favor.
Zbatojnë porosi. Nuk i drejtojmë dot, por ne zhvillojmë një dimension ku nuk na ndërhyn dot. Ju jeni politikanë, çdo ngacmim që ju vjen, çdo mendim që ju vjen kundër qeverisë, hidheni në Facebook, të mos e mbajmë në mendjen tonë. Merrni nga portalet lajme, analiza, të dhëna dhe t’i shumëfishojmë. Por këtu kemi një rezervë shumë të madhe, në shumëfishimin e aktivitetit tonë në rrjetet sociale. Asnjëherë mos besoni dhe mos dëgjoni ata që thonë se nuk fitohen zgjedhjet në Facebook.
Komunikimi ka një rëndësi shumë të madhe, përcjellja e mesazhit ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Rrjetet sociale janë sot mjeti më kryesor për të përcjellë mesazhin”, u shpreh Berisha.