Politika Berisha pranon Gaz Bardhin, por jo Bashën dhe Alibeajn: Janë pengje të...

Berisha pranon Gaz Bardhin, por jo Bashën dhe Alibeajn: Janë pengje të Ramës

Ish-kryeministri, Sali Berisha në konferencën e ditës së sotme me gazetarët u shpreh se Partia Demokratike është dhe do jetë e hapur për diskutim, me deputetin Gazmend Bardhi dhe çdo deputet tjetër, përveç Lulzim Bashës.

“Grupi me unanimitet të plotë, pas diskutimit të secilit, të çdo anëtari, ishte i mendimit që të vazhdojnë negociatat me deputetët e tjerë, me Gaz Bardhin, kryetarin e grupit dhe të tjerë, me qëllimin më të mirë, arritjen e një bashkimi. Kjo pasi konstatohet se ky vullnet ekziston nga të gjitha palët, dhe unë e quaj këtë vendim të grupit, një vendim në vlerësimin tim, të drejtë, në përputhje me interesat e PD-së, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Me zotin Bardhi dhe çdo deputet tjetër, përveç Alibashës dhe Lul Pengut, kjo parti është dhe do jetë e hapur për diskutim. Dhe nuk ka kush pse të ma dijë për nder se është partia e demokratëve. Çdo propozim që vjen nga ata që vendosin të punojnë mbi baza realiste për pajtimin dhe bashkimin, konsiderohet me seriozitet. Çdo propozim vlerësohet dhe konsiderohet me seriozitet të madh.”

Ndër të tjera Berisha tha se, Basha është një peng i kryeministrit Edi Rama.

“Ai përfaqëson mirëfilltas një peng të Edi Ramës, me qëllime të caktuara. Por pozitivja është se nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar se ai është pengu i Edi Ramës. Ai dhe një grup i vogël që e ndjekin, janë të zbrazur nga çdo lloj integriteti moral, politik, etj. Pengu përfaqëson mjeranin, njeriun më të mjerë.”

Ndërsa lidhur me çështjen e Belerit dhe deklaratat e tij gjatë fushatës, Berisha u shpreh: |Por nëse Beleri ka bërë deklarata antikushtetuese, atëherë ka mekanizma që e bëjnë atë përgjegjës para ligjit. Por absolutisht nuk ka asnjë shkak të tillë te Edi Rama. Përkundrazi Edi Rama ka interesa strikt mafioze të klanit të tij për tokat në Himarë. Nuk duhet të pranohet kurrë petku nacionalist që i vishet. Me atë urrejtje që foli kundër Belerit, foli edhe kundër Vangjel Dules. Në një kohë kur ai është grek me origjinë”.