Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar presidentin e zgjedhur Bajram Begaj si socialist.
Madje, ai në emisionin “Opinion” tha se Begaj është mik i kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla.
Fevziu: Presidenti nuk është i tyre…
Berisha: Ka qenë socialist në të gjithë qenien e tij. Ka qenë i emëruar drejtor spitali.
Fevziu: Ka qenë emëruar në bazë të profesionit.
Berisha: Pa anësi partiake nuk emërohet drejtori i spitalit.
Figurë e plotë e PS, shumë i dashur biles. Është një figurë shumë e dashur e PS, për fat të keq e njërit prej eksponentëve më të zi të politikës në 30 vite, Edi Ramës dhe Taulant Ballës.
Fevziu: Kam përshtypjen që Rama deklaroi se nuk e njeh.
Berisha: Të besosh një gjë të tillë do të thotë të besosh rrethin katror.
Kryeministër që nuk njeh shefin e shtabit nuk ka. Rasti që shefi i shtabit të ushtrisë të jetë mjek, që deri para pak vitesh ka ushtruar profesionin e tij, nuk di si mund të ndodhë.
Fevziu: Shqipëria ka patur presidentë dhe kryeministra mjekë?
Berisha: Po krahasoni të pakrahasueshmen. Shefi i Shtabit ka të bëjë më doktrinat e të tria armëve; këmbësorisë, flotës dhe forcave ajrore.
Kurse mjekë Kryeministra mund ta kesh nja 10 në Europë, mjek-presidentë mund të kesh nja 15 në botë. Mos të krahasojmë të pakrahasueshmen.
Presidenti është socialist dhe mik i thekur i dy prej figurave më të zeza në historinë e politikës shqiptare, Edi Ramës dhe Taulant Ballës.