Sali Berisha ka dalë sërish sot në një deklaratë me gazetarët në lidhje me shit-blerjen e votave në zgjedhjet e 14 majit, që sapo lamë pas. Sipas Berishës, qeveria duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe atë Elektoral shpërbleu në mes të fushatës elektorale mijëra pensionistë, po ashtu rriti pagën e administratës publike.
“Në përputhje me betimin tim se do mbroj votën e qytetarëve shqiptarë, jam këtu për të faktuar bazuar në dokumente zyrtare të pakontestueshme, se vota e shqiptarëve u ble para se të hidhej në kuti. U ble në atë shkallë saqë qeveria vendosi kontrollin e plotë mbi rezultatin e zgjedhjeve.
Edi Rama pasi shpalli një kinezëri Kodin Zgjedhor, u vërsul me të gjitha pushtetit e narko-shtetit të rrëmbente votën e shqiptarëve, me qëllim për të blerë haptas apo influencuar votën në dhunim të Kodit Elektoral, qeveria shpërbleu në mes të fushatës elektorale 670 mijë pensionistë me bonus 5 mijë lekë të reja, e barabartë me shumën 33 milion euro.
Qeveria rriti në mes të fushatës elektorale pagën për punonjësit e administratës shtetërore. 13 mijë qytetarë u futën në skemën e pensioneve pa sigurimet. Mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike, dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës pa kontratë.
Vetëm në Peshkopi u dhanë miliona lekë për personat me aftësi ndryshe. Këto pagesa u rritën në këtë fushatë me 900 milion lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.”, u shpreh ndër të tjera Berisha.
Lideri i Rithemelimit tha se, gjatë fushatës u dhanë qindra subvencione, prokurime e tenderë fiktivë vetëm e vetëm për të ndikuar në blerjen e votës së shqiptarëve me para.
“Por, përveç këtyre formave, u përdorën edhe forma të tjera të hapura antiligjore si subvencione, prokurime, tenderë fiktivë për të ndikuar ose blerë votën e shqiptarëve. Kështu me qëllim të blerjes së votës, kryetari në ikje i Vaut të Dejës subvencionoi 400 milion lekë një kompani, akt që e ka kompetencë vetëm Këshilli i Ministrave.
Gjatë fushatës zgjedhore, katër muaj para zgjedhjeve, qeveria ndalon prokurimet publike dhe koncesionet në vend. Ndërsa gjatë vitit 2023 u bënë qindra tenderë me vlerë 6 miliard lekë dhe u dhanë disa investime strategjike.
U konstatuan qindra raste investime, zhavorr, në bashki, fshatra e bashki, duke kulmuar në Tiranë. Të gjithë këto u bënë me qëllim ndikimin e votës së komunitetit.
Por këto janë vetëm maja e ajsbergut e shumës së shpërndarë në dorë në tregun e zi të blerjes së votës. Në tregun e zi shuma e blerjes së votës arriti nga 300 deri në 500 euro. Kulmin e arriti në Shkodër”, deklaroi më tej Sali Berisha në daljen e tij për mediat.