Sali Berisha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se “ka rreth 137 udhëtime me avion taksi”, ku sipas kryedemokratit, 54 i ka kryer përpara themelimit të Air Albania.
Sipas Berishës, “në 8 vite në mandatin e tij presidenti amerikan Bush, ka udhëtuar me Air Force One, 74 herë, gjysmën e Edi Ramës, dhe ka vizituar 43 vende në 4 kontinente të botës”.
“Më lejoni t’ju informoj statistikën e fundit, që tejkalon çdo imagjinatë. Ai, si asnjë kryeministër tjetër i Europës dhe i botës, i ka lejuar vetes 137 udhëtime me avion taksi. Në 8 vite në mandatin e tij, presidenti amerikan Bush, ka udhëtuar me Air Force One, 74 herë, gjysmën e Edi Ramës, dhe ka vizituar 43 vende në 4 kontinente të botës.
Por Air Force One nuk është përdorur kurrë për vikende, për udhëtime boshe, etj. Kjo është një çmenduri. Kancelari i Austrisë, një vend dhjetë herë më i pasur se Shqipëria, nuk udhëton me çarter, por me linjë tregtare. Nuk i transporton ministrat me avion taksi, por me linja tregtare.
Edi Rama me 137 udhëtimet e tij vajtje-ardhje, 54 i ka kryer përpara themelimit të Air Albania, pra ka marrë nga kompanitë e çarterave avionë taksi në dispozicion të zotërisë së tij.
Të gjitha fluturimet e tjera, Edi Rama i ka bërë përsëri me avion taksi, me ‘Ismailin’ e pasionuar, që flet sikur i ka mbirë në kopshtin e Surrelit.
‘Ismaili’ është një avion i Air Albania, dhuratë e presidentit Erdogan. Por problemi është se karburantin, parkingun, rrogat e pilotëve, stjuardesave, që shkon 150 mijë Euro në një udhëtim, i paguajnë baballarët e atyre që kalojnë me gomone La Manshin.
Ndaj këtij skandali reagoi me gjuhën e tij karakteristike, tha se ka dhënë sqarime. Por ai do japë sqarime deri më një, shqiptarët nuk do ia falin këtë abuzim, që shkon në të paktën 22 milionë Euro. Që tejkalon jashtë çdo lloj limiti, abuzivitetin më maksimal.
Avion në dispozicion kanë emirë dhe sheikë, por zor të gjendet një prej tyre që ka fluturuar 137 herë me avion në dispozicion. Askush. Këtu është përdorur avioni për vikende, për qoka. Këtu është përdorur avioni në mënyrën më abuzive. Edi Rama duhet të japë dorëheqje dhe të mos presë ta heqin qytetarët e zemëruar shqiptarë”, tha Berisha.