Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës me fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, ku kërkonte ndryshimin e rezolutës së Dick Marty-t.
Në një deklaratë për mediat kreu i selisë blu tha se Rama promovoi zhdukjen e kombit kosovar.
“Rama shpalli aktin madhor të tradhtisë ndaj Kosovës pas Enver Hoxhës. Shpalosi tezën serbe të kombit kosovar. Enver Hoxha vërtet e la nën pushtimin jugosllav por nuk foli për kombin kosovar. Beogradi promovoi tezën e kombit kosovar e shqiptar, ku shqiptarët e Kosovës janë për t’u zhdukur dhe shqiptarët e Shqipërisë janë për t’u respektuar. Me këtë tezë promovon zhdukjen e kombit kosovar. Kjo është thika më e rëndë që i futet kombit tonë. Rama i futi thikën pas shpine Kosovës”.
Fjalimi i Ramës në KiE, për Berishën ishte presion i hapur politike, në një kohë kur Kosova kishte nevojë për lobim pozitiv. Ai i bëri thirrje KiE-s të votojë Kosovën si anëtaren e saj më të re dhe të mos ndikohet nga retorika e Ramës.
“Edi Rama i futi thikën Kosovën në momentin më të papërshtatshëm, pikërisht kur ajo kishte nevojë për lobim pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Europës, ai në sallën e këtij tempulli, lëshoi lumë sharjesh e akuzash të padëgjuara në gjithë ekzistencën e atij institucioni. I bëj thirrje KiE që të votojë Kosovën si anëtare të re dhe të mos ndikohet nga retorika që është në mision kundër kombit të vet. Rama i futi thikë pas shpine Kosovës, pasi zgjodhi për mbrojtje mjetin më të dëmshëm, presionin e hapur politik ndaj gjykatës. Reagimi i Edi Ramës zgjoi neveri dhe dënim në komunitetin ndërkombëtar, përfshi edhe te personalitete që kanë lobuar për të liruar udhëheqjen politike të Kosovës. Unë njerëzisht u bëj thirrje autoriteteve të Koosovës të ndalojnë fushatën politike të Ramës ndaj gjykatës së Hagës si mjet për të maskuar vasalitetin e tij ndaj Beogradit”.