Lulzim Basha ka ngritur akuza të reja duke pretenduar se ka një pakt Rama-Berisha për të mbyllur listat e zgjedhësve. Këtë, ai e quajti atentat ndaj Kushtetutës.
“Jemi duke avancuar me fazën e tretë të këtij pazari që pritet të marrë formë në seancën e së enjtes ose të premtes. Pakti Rama-Berisha për të mbyllur listat me Reformën Zgjedhore. Sipas informacioneve që kemi, dyshja e tangos e ka mbyllur pazarin që të bashkojnë votat dhe të kalojnë këtë atentat kushtetues.
I shërben Ramës dhe Berishës të rrisin kontrollin ndaj vartësve të tyre. Bashkojnë votat që të mbyllin listat për t’ju kontrolluar ju, votën tuaj, për t’ju trajtuar si dele që nuk meritoni as bar të hani”.
Më tej, Basha i dërgoi edhe një mesazh deputetëve demokratë. “Kam një mesazh për deputetët e dalë me votat e PD. 4 muaj më parë paralajmërova se duke votuar amnistinë do votonit lirimin e të korruptuarve. Një pjesë prej jush e trajtuan këtë thirrje me syzet e nxira të interesit personal dhe votuan verbërisht, një pjesë u justifikuan se nuk e dinin. Ju drejtoj këtë thirrje publikisht: E di që jo çdo kush ka patur mundësi të krijojë atë kontakt me votuesin që duhet të krijonte, por kurrë nuk është vonë për të vërë gjënë e duhur. E di që një pjesë prej jush e kanë ankthin e listave të hapura. Ju kërkoj sot në emër të asaj vote që keni marrë tre vite më parë, të refuzoni me votë pazarin e Ramës dhe Berishës. Shqiptarët nuk do ua falin”, u shpreh Lulzim Basha.