Politika Berisha: Rama-Veliaj-Agaçi janë pronarë të djegësit të Tiranës, 680 milionë euro në...

Berisha: Rama-Veliaj-Agaçi janë pronarë të djegësit të Tiranës, 680 milionë euro në 30 vite

Sali Berisha ka hedhur akuza në adresë të kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Engjëll Agaçi në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha akuzoi se për inceneratorin e Tiranës “do të vidhen 680 milionë euro në 30 vite”.

DEKLARATA E SALI BERISHËS:

Erion Veliaj, së bashku me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin janë pronarë apo aksionerë kryesorë të djegësit të Tiranës.

Shtojmë këtu se afera e djegësit të Tiranës, për të cilin janë shpenzuar 104 milionë dollarë gjer më sot dhe nuk është ndërtuar asgjë, shkon si vjedhje në 30 vite rreth 680 milionë euro, apo mbi 10 herë më e madhe se vjedhjet me djegësin e Elbasanit dhe Fierit të marra së bashku.

Erion Veliaj provohet nga dokumente zyrtare se është iniciatori i propozimit të djegësit të Tiranës, jo si investim publik siç është djegësi i Elbasanit dhe Fierit, por si koncesion privat për arsyen e vetme se Rama, Veliaj dhe Agaçin donin që këtë sipërmarrje të tyre ta vilnin dhe milnin jo për 7 apo 10 vite, por fiks për 30 vite, madje siç është me koncesione, me mundësi zgjatje pas 30 vitesh. Pra, mendonin edhe për pasardhësit e pasardhësve të tyre.

Sepse vetëm me afatin 30-vjeçar, ata do mund të inkasonin në ndërmarrjen e tyre 680 milionë euro.

Erion Veliaj është pronar kryesor bashkë me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin, sepse ai për t’i hapur rrugën koncesionit të sipërmarrjes së tyre kaloi te Mërtiri dhe Zoto, ndërmarrjen Eko Tirana, në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Erion Veliaj së bashku me Ramën dhe Agaçin janë pronarët kryesorë të djegësit të Tiranës, Lali Vjedhësi i drejtohet katër herë me letra, Ministrisë së Financave, që t’ia aprovojë kalimin në koncesion të djegësit të Tiranës.

Ish-ministri Shkëlqim Cani e refuzon në mënyrë të prerë. Pas tij, e refuzon 3 herë të tjera Arben Ahmetaj dhe herën e katërt, Ahmetaj lan duart si Pilati, kur i shkruan ‘no koment’ se kjo është kompetencë e qeverisë vendore.

Erion Veliaj është pronar dhe i inkriminuar gjer në vesh në aferën e djegësit të Tiranës, sepse ai arrin gjer aty sa firmos shkresa në emër të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe të Këshillit të Qarkut të Tiranës, në një kohë kur këto këshilla nuk ishin mbledhur ndonjëherë. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë ai nuk mund të firmoste pasi në Kushtetutë, këto këshilla kanë kryetarin e tyre dhe si të tilla është kryetari i tyre dhe jo i bashkisë, ai që firmos dokumentet.

Erion Veliaj është pronar kryesor me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin sepse për djegësin e Tiranës ka ndodhur mashtrimi më i madh në historinë e prokurimeve apo koncesioneve, jo vetëm në Shqipëri, por besoj se në planet. Sipërmarrjen e tyre, të quajtur Integrated Energy BV, Veliaj-Rama dhe Agaçi e kuotojnë me 8 pikë, në një kohë kur ajo nuk ekzistonte kundër, përveçse në mendjenme tyre. Kjo kompani më 7 dhjetor 2016, do merrte 8 pikë për djegësin e Tiranës, kur ajo nuk ishte e regjistruar në asnjë institucion të shtetit shqiptar.

Për këtë çështje, ministrja Ermonela Felaj i drejton një shkresë zyrtare kryeministrit të vendit, ku i thotë se kjo nuk mund të bëhet, ky bonus nuk mund të jepet se kompania nuk ekziston mbi dhe. Por mendja ekzistonte në mendjen e Rama-Veliaj dhe Agaçi dhe asaj iu dhanë bonuset.

Vetë kompania u regjistrua tetë muaj më vonë, një ditë përpara se Rama dhe Agaçi ta shpallnin fituese të koncesionit të Tiranës.

Erion Veliaj, Edi Rama dhe Engjëll Agaçi janë autorë kryesorë dhe hajdutë kryesorë, pronarë të djegësit të Tiranës. A mund të imagjinojë një njeri, që sot pas 6 vitesh dhe shpenzimeve të 104 milionë eurove nga taksapaguesit dhe sektorit privat për këtë djegës, nuk është ndërtuar asnjëri nga objektet e tij.

Megjithatë, Erion Veliaj taton qytetarët e Tiranës me tarifën 29 euro. Tarifë kjo në kundërshtim flagrant me kontratën.

Së fundmi, sipërmarrja e djegësit të Tiranës është vetëm e vetëm e Erion Veliajt, Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit. Ajo vazhdon me të njëjtat tarifa dhe të njëjtat fitime e procedura, megjithëse dy pronarët falsë, Mërtiri dhe Zoto, janë në ndjekje penale dhe kërkim ndërkombëtar.

Ky fakt dëshmon në mënyrën më flagrante se pronarët e vërtetë të djegësit të Tiranës janë Veliaj-Rama-Agaçi. Ata që ndiqen janë aksionerë minorë ose punëtorë në kompaninë e Ramës-Veliajt dhe Agaçit.

E vërteta e djegësit të Tiranës, që është afera që shkon 680 milionë euro në 30 vite, është aferë kriminale e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Engjëll Agaçit. Por ajo është një monument i shëmtuar i korrupsionit në Shqipëri dhe botë, që mbrohet nga SKAP-i i partisë. Kjo është e vërteta.