Sali Berisha ka reaguar ndaj zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, për deklaratën e këtij të fundit në lidhje me ngjarjet e 8 janarit në selinë e PD-së. Escobar u shpreh se dhuna nuk mund të jetë mjet për marrjen nën kontroll të një partie politike.
Pasi dëshmoi këtë të enjte në prokuri, Berisha u shpreh se Escobar është munduar të ndihmojë Bashën, por nuk ia ka arritur qëllimit.
“Shpreh keqardhje të madhe. Në vizitën time të parë, reagimi im ishte që shqiptarët janë një komb i vjetër dhe në ato elemente të tyre, ata nuk i kanë qejf kukullat. Në mënyrën më të sinqertë, i kërkova që të mos merret me kukulla. Ai mendoi se me atë deklaratë do ta ndihmonte, por jo vetëm që nuk ndikoi në Kuvend, por kuvendi shënoi një arritje të paparë. Si mund të punohet mirë me një njeri që brenda ndërtesës merr vrasës dhe banditë? Ata duhet të informohen më parë. Ftoj Escobar dhe cilindo që çdo fakt dhe dokument ta paraqesin në gjykatë.
Të mbështesësh Bashën sot, është më keq se të mbështesësh një kufomë politike. Të mbështetësh Bashën është një përçmim”, tha Berisha.