Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale për rezultatin e zgjedhjeve në Himarë, ku kandidati socialist Vangjel Tavo fitoi me 1477 vota diferencë përballë rivalit të mbështetur nga koalicioni BF, Petro Gjikuria.
Sipas Berishës, “pasi u rrëmbye mandati i Belerit, Rama dhe shteti i tij kriminal grabitën mandatin në Himarë përmes manipulimeve në listat e zgjedhësve dhe pengimi i mbi 6100 qytetarëve të votonin me pretendimin e kartave të skaduara”.
“Të dashur miq, Edvin Gjipea pasi rrëmbeu me dhunë terror burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo.
Ai në këtë grabitje mobilizoi në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës të gjithë potencialin e shtetit kriminal elektoral dhe institucionet e tij, ju mohoi të drejtën kushtetuese të votës 6153 qytetarëve të Himarës me motivin e skadimit të afatit të kartave të identitetit ndërkohë që në maj të vitit 2023 me vendim të veçantë i kishte lejuar të votonin. Me qëllim grabitjen e mandatit, Edvin Gjipea solli në listat e votimit në Himarë 360 votues nga Dropulli, Saranda dhe Tirana dhe qindra të tjerëve iu ndryshoi qendrat e votimit. Të gjitha këto ndërhyrje të shtetit kriminal elektoral, manipulime me listat e zgjedhësve dhe përjashtimi i 6153 qytetarëve nga votimi dëshmojnë se mandati i Tavos qëndron mbi krimin monstruoz elektoral. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”, shkruan Berisha.