Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me demokratët e Tepelenës në kuadër të turit të Foltores, të cilëve u bëri thirrje për bashkim.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se qeveria ndikoi në krizën e brendshme të Partisë Demokratike, por tashmë, sipas ish-Kryeministrit, është koha që demokratët të bashkohen dhe të lënë mënjanë hatërmbetjet mes tyre.
“Sot Partia Demokratike ka nevojë për bashkimin e saj, çdo anëtar të lërë mënjanë çdo zemërthyerje, të mobilizohemi për betejën që na pret përpara, betejën me regjimin më të rrezikshëm që bazon veprimtarinë e tij në vjedhjen dhe krimin, të cilin kriza e po nxjerr çdo ditë para shqiptarëve se çfarë fatkeqësie përfaqëson për ato në një kohë kur nafta në Ukrainën që lufton është pothuajse 1 Euro më e lirë se sa në Shqipërinë mijëra kilometra nga lufta.
Dhe prania sot këtu e kryetarit të grupit të Rithemelimit, e demokratëve të cilët deri dje kanë patur qëndrime edhe të ndryshme nga njëri-tjetrit është një mesazh i shkëlqyer. Po e lëmë mënjanë ’97 se askush nuk ka vuajtur sa demokratët e Tepelenës dhe Gjirokastrës në ’97. Megjithëse sakrificat e tyre nuk harrohen kurrë. Por 8 vite në opozitë, 8 vite diskriminim, trysni, pushime nga puna, kjo është një lumë sakrificash që i bashkon demokratët.
Sot regjimi është në revansh të plotë sepse ja doli me mekanizma joligjore të ndikojë në krizën e PD, të tregojë se nuk respekton asnjë parim të demokracisë sepse një qeveri padiskutim që i bën shërbime pushtetit të vetë, por është e detyruar të respektojë parimet bazë të demokracisë, që është respektimi i opozitës, dhe jo përpjekja çnjerëzore për manipulimin e saj”, tha Berisha.