Kreu i demokratëve Sali Berisha iu drejtua kundërshtarëve të tij politikë sot në Parlament “si fitimtar”. Ai rikthesoi se beteja e tij me institucionet e drejtësisë ishte me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Solli në rikujtesë 21 Dhjetorin 2023, si datë kur me 75 vota në Kuvend socialistët i hoqën imunitetin.
“Tentuan të varrosin demokracinë e pluralizmin në Shqipëri. Votuat duke më mohuar të drejtën e fjalës sepse fjala ime tmerronte narko-diktatorin dhe shumë prej jush. Votuat duke mbushur Parlamentin me mbi 50 gardistë,me mendimin se kjo do të ishte dita e fundit e Sali Berishës në Parlamentin e Shqipërisë. Për të nderuar kujtimin e Enver Hoxhës, Rama zgjodhi Dhjetorin, për të arrestuar Berishën pa asnjë provë. Mirëpo, për fatkeqësinë e kombit amerikan kishit mbështetjen e atyre që ishin larguar nga parimet e mëdha dhe ndiqnin axhendën e George Sorosit, kësaj monstre të njerëzimit. Pra ju, në 21 Dhjetor votuat për të kompletuar grushtin e shtetit ndaj opozitës, mirëpo, sot ja ku jam. Vij këtu fitimtar, për të udhëhequr opozitën drejt fitorës.”
Për kreun e qeverisë, Berisha rreshtoi akuzat.
“Edi Rama nxin sot si Edi metamorfoza, si banor i bodrumeve të mafies shqiptare, si hajduti më i madh në historinë e kombit, si armiku më i egër i qenies shqiptare në kohëra. Nxin sepse në 12 vite, u angazhua me të gjitha mjetet për të dhunuar, për të kontrolluar vullnetin politik të shqiptarëve njëlloj si etërit e tij. U angazhuat në mënyrën më makabre kundër Kosovës, në zbatim të politikës së serbo-madhnisë, duke përdorur armiq.”
Nuk kurseu asnjë eksponent të palës tjetër, duke i cilësuar si “përfaqësues” të krimit.
“Ju përfaqësoni ata që vranë 14 vjeçarin, s’ngriheni për të mbajtur një minutë heshtje për shpirtin e tij të pafajshëm. Ju përfaqësonin oficerin e paguar për të vrarë biznesmenin. Ju përfaqësoni ata që vjedhin 14 herë me kontrata, ata që paraqesin një buxhet këtu pa asnjë qindarkë për të rinjtë shqiptarë, për 800 mijë pensionistë. Në një kohë kur rrogat tuaja janë të barabarta me 70 pensione. E kuptoni ku keni arrit ju?! Prandaj reagimi juaj si kope, si tufë për të shpëtuar. Por nuk shpëtoni dot! Si mund të sillni një buxhet për 800 mijë njerëz që marrin një pension sa merr gjermani për qenin e shtëpisë?!”
Ai u shpreh se rikthimi më i suksesshëm i Sali Berishës do të jetë rikthimi i tretë. Ai u shpreh se socialistët janë të pashpresë ndërsa demokratët janë shpresa e madhe e shqiptarëve.
“Ju siguroj që rikthimi më i suksesshëm në histori i Sali Berishës do të jetë rikthimi i tretë dhe në këtë aspekt jeni të pashpresë. Ju të pashpresë shqiptarët me shpresë të madhe. Ne jemi shpresa e madhe e shqiptarëve, ne nuk do i zhgënjejmë ata”, u shpreh Berisha.
Kujtojmë se Sali Berisha kthehet në parlament pas 11 muajsh pasi ishte në arrest shtëpie për dosjen “Partizani”. Rikthimi i tij përkon me diskutimet për buxhetin.