Ish-kryeministri Sali Berisha tregoi gabimin e tij më të madh në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN. Sipas tij, vendimin për rikthimin duhet ta kishte marrë jo sivjet, por 5 vite më parë.
“Gabimi më i madh i imi ishte se këtë vendim që mora në vitin 2022, duhet ta kisha marrë në vitin 2017. Sepse unë kam patur shtytje të shumta nga miq të sinqertë, të cilët nuk e bënin për karrierën e Berishës, por interesat e PD-së dhe të vendit. Kur unë i kërkova në vitin 2017 që të jepte dorëheqjen dhe më tha jo, isha i sigurt që Basha nuk do të jepte dorëheqje edhe po të humbnim zgjedhjet e radhës”, deklaroi Berisha.
Kur u pyet nëse ka rivalë për kreun e PD-së, Berisha u përgjigj: “Kam 8-9 vite që nuk kisha bërë takime publike. Askush nuk duhet të ketë kompleks për të garuar kundër meje. Unë i kam ndjekur të gjitha tezat naive, si kulti i individit. Por, një njeri që nuk ka patur asnjë pushtet përveç atij moral dhe trashëgimisë së tij, kjo është normale. Por, nuk bëhet fjalë për kult individi. Kultet ndërtohen mbi bazën e frikës, kult po ndërton Edi Rama, që i detyron njerëzit ta quajnë Skënderbe. Sepse ai sillet me brutalitet dhe beson se frika është çelësi i mbajtjes së pushtetit. Çfarë frike mund të ngjall unë, një njeri që nuk ka asnjë pushtet? Nëse për mua flet trashëgimia ime, kjo nuk është mëkat”.
“Unë nuk kam emër kandidatësh, por mirëpres këdo burrë apo grua, zyrtar, deputet apo aktivist në këtë garë. Edhe Lulzim Bashën. Unë tani nuk i them më as “kukull” dhe as “bravë”, sepse ai tani nuk ka më funksione. Në rast se ai dëshiron, i ka të gjitha mundësitë për të garuar për çdo funksion apo të vijojë jetën e tij normale si deputet. Unë nuk jam njeri që veproj me mëdyshje. Ai ftesës sime i përgjigjet me Alibeajn që bën padi pa pasur tagër. Por, gradualisht uroj që (Basha) të gjejë paqen”, shtoi Berisha.