Politika Berisha sërish akuza SPAK-ut: Është në duart e Ramës, e ndërsen ndaj...

Berisha sërish akuza SPAK-ut: Është në duart e Ramës, e ndërsen ndaj cilitdo që ai do vet

Dy ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi si kampion të antikorrupsionit kreun e SPAK-ut Altin Dumani, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar sërish akuzat ndaj këtij institucioni. Duke e cilësuar SPAK-un si të kapur nga Rama, Berisha tha se ka ngritur mitin e mashtrimit dhe gënjeshtrës.

“SPAK-u është Skapi i partisë, më shumë se kurrë. Po, është ai Skapi në duart e Edi Ramës që ndërsen ndaj cilitdo që ai do vet. Kur dëgjon rëndomë njerëz që thonë: po arreston ministra, në një kohë kur nuk ka arrestuar ndonjë ministër të veçantë, kurrë gjer sot, asnjë të veçantë. Imagjinoni ju, si ngrihet miti i mashtrimit, miti mbi gënjeshtrën e mashtrimit. Ka arrestuar ish-ministra që i ka hequr Edi Rama. Përkundrazi, ajo që po zhvillohet këto ditë është turpi më i madh. Një ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti, e nxjerrin pa i treguar një mandat dhe asgjë. E zvarrisin në rrugë, e godasin tek kthehej në punë. Kurse, Velica i le tek dera dy orë, gjersa ultimatumet e Alban Dabullës shkojnë tek Edi Rama, se mezi shkuan: që po guxove një qime t’i prekësh Erion Velisë, do të nxjerr dosjen e Olsi Ramës, të Xibrakës. Është e vërteta. Shkuan në galeri, çfarë nuk gjetën atje. Arka me fatura. Po çfarë faturash thoni ju? Fatura 300 mijëshe, fatura 500 mijëshe, fatura të pafundme. Po, po, dhe tani përpiqen t’i japin rrugës, nuk dinë ku t’i çojnë, përveç 220 mijë euro që përpiqen t’i korrigjojnë, t’i bëjnë 20 mijë. Salloni i masazhit me tajlandezë, etj”, tha Berisha.

Në takimin me drejtuesit e qarqeve të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se me gjithë opozitarizmin, transparencën dhe të vërtetat e mëdha që sipas tij PD iu paraqiti shqiptarëve, përsëri drejtësia e kontrolluar qëndron e paralizuar.

“Pra, edhe kjo ka qenë një sukses i yni. Sepse ne, kemi bërë detyrën, asgjë më shumë, por ama i kemi bërë, nuk kemi futur gjë në sirtar ne, ua kemi plasur në fytyrë mbarë shqiptarëve, dhe kjo ka bërë që ata të përpiqen të tregojnë sikur po bëjnë diçka. Në këtë rrethanë, kur narkoshteti është më i diskretituar se kurrë, kur faktoi se ndjenjat e këtyre njerëzve për qytetarët shqiptarë janë përçmimi, janë urrejtja. T’u marrin taksa shqiptarëve 8.2 miliardë euro, dhe prej këtyre taksave t’u japin pensionistëve 16 milionë euro, t’u japin të rinjve asnjë qindarkë, t’u japin fermerëve që janë 40% e popullatës 44 milionë euro. Nuk mund të ketë cinizëm dhe injorim më të madh ky që iu bën qytetarëve të vendit tënd”.