Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi sot atë që ai e quajti “skemë gjobëvënieje nga ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal”.
Sipas tij, mediat amerikane kanë raportuar se ai ka zhvatur mbi 30 milionë euro duke gjobitur biznesmenët e njohur shqiptarë, me kërcënimin se do të bëheshin pjesë e sanksioneve amerikane.
Berisha u shpreh se SHBA dhe FBI-ja amerikane duhet të hetojnë kryeministrin Edi Rama por edhe ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Sipas tij, Rama u thoshte biznesmenëve shqiptarë që i dërguari i SHBA për Ballkanin, Gabriel Esobar, i kishte dorëzuar atij një listë të biznesmenëve që do t’i sanksiononte. Këtë listë, sipas tij, ua ka dhënë Lulzim Basha, për të sanksionuar biznesmenët që mbështesin ‘Foltoren’.
“U faktua se Edi Rama, i biri i xhelatit që vari kundërshtarin politik, poetin disident, kontraktoi vrasës me pagesë: kryezbuluesin e institucionit më kryesor në SHBA, një tradhtar i vendit të tij.
Me grupin e tij, i paguar nga Edi Rama, shpallte në televizionet shqiptare, Sali Berishën si kukull të Putinit. Gjithçka për narrativën e shkatërrimit të opozitës.
Çështja McGonigal është një çështje shumë e thellë dhe ne do t’ua themi shqiptarëve.
Çështja nuk përfshin vetëm McGonigal. Sot në botë ushtojnë skemat e tij e gjobëvënies. Po kush mori pjesë në këtë skemë? Unë i bëj thirrje Kongresit dhe FBI të hetojë rolin e Edi Ramës dhe Yuri Kim në këtë gjobëvënie.
Edi Rama u thoshte të tjerëve se zoti Escobar më ka dorëzuar listën e biznesmenëve që do sanksionohen. Kjo është e vërteta.
Yuri Kim thërriste një e nga një biznesmenët në zyrë, pse financoni Foltoren se do sanksionoheni.
A ishte kjo një skemë që të shkonin dhe të paguanin te Mark Rossini dhe McGonigal gjobat?”, tha Berisha.
Edhe sot, Berisha bëri thirrje për vazhdimin e protestave në atë që ai e quajti “revolucionit paqësor”.
“I bëj thirrje çdo shqiptari, të bashkohet me këtë revolucion. Të shpëtojmë Shqipërinë. Nuk është një lëvizje e PD. Por është një lëvizje së pari për fëmijët tanë, për veten tonë, për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo monokraci, nga ky regjim kriminal. Është lëvizje për t’u ngritur vigan kundër mafies shqiptare dhe ndërkombëtare. Njerëzit që guxojnë, ata fitojnë. Njerëzit që ndjehen të ndershëm nuk dorëzohen kurrë. Ndaj ju ftoj sërish, kudo që jeni, të bëjmë gjithçka për të çuar përpara këtë kauzë shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët,” tha Berisha.