Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur këtë të martë Këshillin Kombëtar të selisë blu. Ajo që ka rënë menjëherë në sy tek të pranishmit ka qenë se kreu demokrat ka hequr syzet, të cilat i mbante që prej 6 dhjetorit kur u sulmua nga Gerti Shehu.
Berisha: Një vit i vështirë për ne, u përdorën të gjitha mjetet që të vendosej nën kontrollin e qeverisë, por dështuan
Berisha, teksa foli sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, u shpreh se ky ishte një vit i vështirë për forcën politike që ai drejton. Sipas Berishës, janë përdorur të gjitha mjetet që të vendosjen nën kontrollin e qeverisë, por që dështuan.
“Ky ishte një vit i vështirë për PD-në. Do ta quaja një vit të paprecedentë në historinë e një force politike. Kundër saj, për ta mbajtur atë fasadë opozitë, u përdorën të gjitha mjetet, u përdorën i gjithë potenciali korruptiv i qeverisë më të korruptuar në Europë. U përdor i gjithë potenciali kriminal, i qeverisë më të lidhur me krimin në Europë. U përdor mafia ndërkombëtare e Sorosit. Të gjitha këto në funksion të një regjimi i cili ka vendosur monizmin e plotë në Shqipëri.”
Sipas Berishës, rrallë ndonjëherë mund të ketë ndodhur që të jetë ushtruar një presion i tillë ndaj një force politike.
“Gjithçka zhvillohej që kjo forcë të vendosej në kontrollin e plotë të qeverisë dhe mafias qeveritare. Kushdo tjetër të vendoste, por jo shqiptarët. E kam fjalën këtu për shqiptarët që i thonë vendit të tyre atdhe dhe që besojnë se mundin dhe djersën e tyre, në këtë vend mund të ndërtohet e ardhmja.”