Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka folur edhe për situatën aktuale në Partinë Demokratike, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Kryemadhi tregoi se Basha e ka telefonuar disa herë pas humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit, por ka refuzuar të flasë me të dhe e ka drejtuar te Petrit Vasili.
“Gjatë ditës së zgjedhjeve i kam uruar suksese dhe ka qenë momenti i komunikimit të deputetëve të Elbasanit dhe numërimit në mandatin e Durrësit. Numëruesit e PD-së futeshin në sulm për të zhvlerësuar votat e LSI. Nga ai moment s’kam komunikuar më me të, më ka marrë në telefon dhe nuk i kam kthyer”, tha Kryemadhi.
Përsa i përket vendimit të Gjykatës që njohu Komisionin e Rithemelimit si drejtues të PD-së, kryetarja e LSI-së u shpreh se Sali Berisha tregoi që është lider i vërtetë.
“Te zoti Berisha të gjithë shikojnë lider, madje edhe Rama e sheh të tillë. Nuk ka rëndësi si ndodh rikthimi për udhëheqjen e PD në të gjithë historikun apo jetën politike të PD. Berisha tregoi që është lider. Tregoi që është jo vetëm themeluesi, por shpirti i PD. Tregoi që kur edhe pabesia kaloi moralin, ai jo vetëm që mbijetoi, por me një angazhim të jashtëzakonshëm burrëror. Duke pasur sulmet e pandalshme mediatike, diplomatike, duke vendosur përpara jo vetëm integritetin personal, por edhe sovranitetin e PD. Duam apo nuk duam ne PD është themeluar nga Berisha. Këto kishin të bënin me atë shpirt dhe inspirim që Berisha jepte te njerëzit e PD”.
Duke iu referuar të ardhmes, Kryemadhi tha se me reformimin e PD-së dhe LSI-së do të krijohet një opozitë e fortë, e mbështetur edhe nga grupe të tjerë interesi.