Politika Berisha: Shqipëria, epiqendër e pastrimit të parave

Berisha: Shqipëria, epiqendër e pastrimit të parave

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale është shprehur se komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme opozitës në Shqipëri.

Berisha ndër të tjera ka theksuar se Shqipëria tashmë është një epiqendër e larjes së parave të krimit.

Sali Berisha: Dua të përshëndes demokratet e demokratët, opozitaret dhe opozitarët, me rastin e miratimit në Uashington të një rezolute, e treta historike, në mbështetje të madhe të PD-së, mbështetje të madhe të opozitës shqiptare, por në të vërtetë të çdo shqiptari i cili beson se Shqipëria duhet të jetë vend i ligjit, dhe jo vend i mafias, sundim i ligjit dhe jo sundim i mafias.

Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë, organizata e cila defakto drejtohet, grupon me dhjetëra parti, mbi 80-ca parti, dhe drejtohet nga Partia Republikane e SHBA-së, ka miratuar me unanimitet dje një rezolutë, në të cilën gjendjen në Shqipëri e përshkruan atë të një diktature, të krahasueshme me Tunizinë dhe Bjellorusinë, në të cilën të gjitha pushtet janë të përqendruara në një dorë, zgjedhjet janë të shndërruara në një fasadë, opozita, drejtuesit, deputetët, eksponentët e saj, persekutohen për motive politike, njëlloj si në Tunizi dhe Bjellorusi.

Sistemi i drejtësisë është shndërruar në një armë që i shërben regjimit, thotë rezoluta- për të shtypur opozitën dhe fshehur krimin elektoral. Shteti dhe krimi, janë një sipërmarrje e përbashkët.

Zbulimet e medieve belge, në të cilat ju rikujtoj se televizioni kombëtar, citoi nga dosja gjyqësore, direkt emrin e Edi Ramës, si të lidhur me të pandehurit që gjykoheshin nga gjykatat belge. Shqipëria një epiqendër e larjes së parave të krimit.

Pra përshkruajnë me të gjitha ngjyrat e zeza, në interesin më të mirë të çdo shqiptari, të vërtetat më të hidhura të regjimit të Edi Ramës, të fshehura ditë e natë, nga propaganda e tij e brendshme, por te fshehura edhe nga korrupsioni transnacional ndërkombëtar.