“Sot Shqipëria është zgjuar e kërcënuar nga Rusia”. Kështu u shpreh në kuvend ish-kryeministri Sali Berisha, i cili deklaroi se ky kërcënim ka ardhur përmes një letre të ambasadës ruse në Tiranë. Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po hesht ndaj këtij kërcënimi.
“Dua të dënoj letrën kërcënuese të ambasadës ruse në Tiranë drejtuar Shqipërisë dhe dua të theksoj se letra është një fyerje për çdo shqiptar, dhe është rrjedhojë e kapitullimit të argatit të Beogradit në Tiranë Edvin Kristaq Rama, para një shantazhi primitiv të paprecedentë nga vitet ‘37-‘38 deri sot, me të cilin përballet Europa dhe bota e lirë, NATO dhe aleanca euroatlantike. Sot Rusia tejkaloi si forcë e së keqes çdo forcë në kërcënim që ka njohur historia. Kërcënon të përdorë armë bërthamore dhe fuqinë e saj kundër vendeve të lira. Të përpiqet të shkatërrojë NATO-n dhe vendi i vetëm që ka heshtur si fija e barit ndaj këtij shantazhi është një vend anëtar i NATO-s”.
Ai i bëri thirrje Kuvendit për të miratuar një rezolutë për t’u solidarizuar me Ukrainën.
Parlamenti duhet të votojë një rezolutë ku të shprehë solidaritet me Ukrainën, mos harroni që ka një traktat 4-palësh, traktati i Budapestit në të cilin Rusia-SHBA-Britani zotohen që këtij vendi nuk do t’i preken kufijtë në përputhje me kartën e Helsinkit. Ukraina ishte asokohe fuqia nukleare e planetit me 1700 bomba bërthamore, i dorëzoi të gjithë në mirëbesim. Të shprehim solidaritetin me Ukrainën, NATO-n nuk ka ndodh kurrë”.
Edhe pse fjala e tij në replikë kaloi minutazhin, ai tha se nuk do të reshtë kurrë së foluri sa kohë vendi është zgjuar i kërcënuar.
“Sot Shqipëria është zgjuar e kërcënuar nga Rusia. Unë nuk do të resht kurrë. Është tempulli i sovranit nuk hesht kurrë është kërcënuar vendi. Të shprehim solidaritetin me Ukrainën dhe NATO-n. Nuk ka ndodhur kurrë një kërcënim i tillë banditesk. Më ç’të drejtë ambasada ruse i dërgon letër ultimative Shqipërisë ku e gjen atë të drejtë? Në cilën marrëveshje ndërkombëtare e gjen atë të drejtë? E keqja më e madhe e kohërave është sot kërcënimi i Rusisë së Putinit”.