Në një takim me të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, kryetari i opozitës Sali Berisha tha se Shqipëria po përjeton një monizëm të dytë.
Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po kontrollon të gjitha pushtetet.
“Të rinjtë ishin ata që bënë revolucionin demokratik të dhjetorit ‘90 dhe themeluan PD-në. Të rinjtë ishin pa asnjë mëdyshje ata të cilët çuan mesazhin, dritën e lirisë dhe u përballën me monizmin më stalinist të Europës në atë kohë dhe u bënë promotorët e fitores së PD-së.
Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës dhe ndër më të izoluarit e planetit. Shqipëria kishte nevojë për mendje të hapura dhe mendjet e hapura ishin mendjet e të rinjve. Në këtë kontekst, ata luajtën një rol kryesor në të gjitha reformat dhe transformimet e vendit. Sot, pas 30 vitesh, Shqipëria ka rënë në një monizëm të dytë, i cili në dallim nga monizmi i viteve ’90, që bazohej në doktrinën çnjerëzore marksiste, monizmi i sotëm bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen. Edi Rama sot kontrollon 10 përqind më shumë pushtete se diktatori i fundit komunist në vitin 1991.
Në këtë kontekst, kjo mbështetje e juaj merr një rëndësi edhe më të veçantë. PD dhe forumi i saj, u themeluan dhe mbetën gjithnjë forca më perëndimore e vendit, lokomotiva të vërteta të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë, Edi Rama kontrollon në mënyrë të hekurt të gjitha pushtetet. Për gabime të rënda edhe të PD, e cila bojkotoi zgjedhjet lokale, sot në të gjithë Shqipërinë, PD ka vetëm një pushtetar vendor, kryebashkiakun e Shkodrës”, u shpreh Berisha.