Ish-kryeministri Sali Berisha, teksa foli në A2 për integrimin e Shqipërisë në BE dhe skepticizmin e Holandës në këtë proces, u shpreh se vendi po shkon drejt përjashtimit përfundimtar nga procesi i negociatave me BE.
“Mendoj se ky 25 prill është një shans për shqiptarët së pari, më pas për PD dhe opozitën shqiptare. Qeveria holandeze dha një “jo” të prerë për Shqipërinë dhe një “po” të qartë për Maqedoninë e Veriut. Ky është viti i pestë që vendet e BE hedhin poshtë raportin e KE dhe në njëfarë mënyrë, mund të them se Shqipëria po ecën e sigurt drejt përjashtimit përfundimtar nga procesi i negociatave me BE. Kush analizon 6 vitet e fundit gjen dy gjëra, së pari, shtimi progresiv i kushteve, nga 5 në 15 vit pas viti. Së dyti, Shqipëria do të bëhej vendi i vetëm në historinë e BE që në procesin e negociatave do t’u impononte edhe vendeve që janë në favor të integrimit që të vendosin klauzolë specifike për Shqipërinë.
Sipas së cilës, në rast se Shqipëria nuk performon në procesin e plotësimit të kushteve, Shqipëria mund të përjashtohet fare. Kjo klauzolë, e votuar me unanimitet në parlamentin gjerman u shndërrua në ligj në dokumentin e samitit të BE, ku Franca bllokoi tërësisht zgjerimin, derisa u sanksionua një klauzolë e tillë. Kemi të bëjmë me një paketë kushtesh që Shqipëria duhet të plotësojë, me një qëndrim të papërgjegjshëm të kreut të qeverisë, i cili nuk ka asnjë interes kombëtar, por vetëm interesa kriminale të tij. Gjatë këtij viti, ai ka deklaruar me dhjetëra herë se nuk ka kushte për hapjen e negociatave. Çdo vit, vijmë tek e njëjta melodi çdo vit, ku në mënyrë të pashmangshme, ne po imponojmë dhe detyrojmë vendet anëtare që po vazhduam kështu, të kërkojnë përjashtimin e Shqipërisë nga negociatat.
Kjo do të thotë se çfarë rëndësie jetike kanë këto zgjedhje, në radhë të parë, për projektin jetik për të ardhmen në BE”, u shpreh Berisha në A2.