Sali Berisha nga banesa e tij, ku po vuan masën e sigurisë “arrest shtëpie” iu është drejtuar simpatizantëve duke i thënë se ata janë simboli i shpresës që rrezaton në katër anët e vendit.
Në fjalimin e tij të për përnatshëm, Berisha tha se përpjekja e tyre, beteja që ata kanë nisur po zgjon çdo ditë e më tepër “luanët e fjetur në zemrat e opozitarëve të Shqipërisë”.
“Çdo natë, ju mblidheni këtu dhe ngrini zërin tuaj të fuqishëm kundër kësaj diktature, kundër këtij pushtimi shkatërrimtar që është vendosur në Shqipëri. Por ju garantoj se jeni sot simboli më i ndritur i shpresës për shqiptarët. Se jeni sot, simboli që rrezaton sot në të katër anët e vendit shpresë. Jeni sot drita që ndriçon rrugën e mendjes për çdo shqiptar”, tha Berisha.
Duke i folur të pranishmëve, Berisha shtoi se, “beteja që ju nisët, zgjon çdo ditë e më shumë luanin e fjetur në zemrat e demokratëve, në zemrat e opozitarëve të Shqipërisë”.
“Drita që ju lëshoni, era e shpresës dhe ndryshimit, tmerron çdo ditë, struk çdo ditë Edi Ramën, aleancën e krimit dhe nxjerr para shqiptarëve të gjithë shëmtinë e tij. Miqtë e mi, një president i madh amerikan, Abraham Linkoln, ka thënë njëherë se një njeri mund të jetë shumica, ndaj dhe ju garantoj se ju sot këtu jeni shumica. Ju jeni shumica sepse guximi juaj i jep guximit mbarë qytetarëve. Sepse shpresa që mbillni është jetike për shumicën e shqiptarëve” tha ai.
Ndaj tha ai, ju jeni shumica sepse shumica nuk e do kurrë këtë pushtim të aleancës së krimit me pushtetin.
“Ju jeni shumica sepse duhet një shesh për t’u përballur për një kauzë të drejtë. Duhet një shesh për t’i dalë zot Shqipërisë, për t’u dalë zot të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Duhet një shesh për t’u thënë shqiptarëve se Shqipëria nuk do jetë kurrë pa opozitë. Se ëndrra e Edi Ramës për një Shqipëri pa opozitë, do bëhet pluhur nga ju”, përfundoi Berisha.