Politika Berisha: S’kam folur prej gjendjes gripale, nuk do e bëj më vaksinën...

Berisha: S’kam folur prej gjendjes gripale, nuk do e bëj më vaksinën e imponuar nga pushteti

Gjatë fjalës së tij drejtuar demokratëve, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk ka folur këto ditë që ka qenë në arrest shtëpie, për shkak të gjendjes së tij gripale.

Ai madje ka theksuar se nuk do e bëjë më kurrë vaksinën e gripit e cila sipas tij është imponuar nga pushteti.

“Nuk kam komunikuar për shkak të gjendjes gripale, nuk do bëj më vaksinën e imponuar nga pushteti! Kjo është betejë hyjnore Një përshëndetje të zjarrtë ju këtu që keni ardhur këtu në këtë protestë, por përshëndetje demokrateve dhe demokratëve kudo që janë sot. Përshëndetje popullit opozitar nga zemra uroj sukses në betejën tonë pa kthim, në betejën tonë të fitores. O sot o kurrë! Në këmbë shqiptarë. Miqtë e mi, këto ditë nuk kemi pasur një komunikim zanor me ju. Ju garantoj se nuk ka qenë absolutisht vendimi i Edi Ramës që ka ndërprerë komunikimin, por ka qenë një gjendje gripale e cila kërkonte që të ruhesha për mosrëndimin e saj. Ajo kaloi shkëlqyeshëm dhe do ju rrëfej një gjë.

Gjithë jetën unë kisha bërë vaksinën e gripit, por kur pushtetet filluan të na e imponojnë si në diktatura qytetarëve, unë hoqa dorë prej saj dhe nuk do e bëj më ndonjëherë. Miqtë e mi, Edi Rama në traditën e tij më të shëmtuar, në traditën e të atit të tij xhelat, i cili si zëdhënës i Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, firmoste varjen në litar të fjalës së lirë të poetit të pavdekshëm Havzi Nela, urdhëroi mercenarët e tij t’i ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju. Por unë do u rrëfej ju një gjë. Unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy Kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë. Ajo është hyjnorë, është tokësore. Ne i bindemi asaj, njëlloj si Zotit dhe ndaj u garantoj ju se Sali Berisha do pranojë dhe do bëjë vetëm atë që është në interesin tuaj, në interesin e demokratëve, në interesin e pluralizmit, në interesin e Shqipërisë”, deklaroi Berisha nga dritarja e banesës së tij.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka vendosur urdhër Berishës që të komunikojë vetëm me bashkëjetuesit e tij. Këtë urdhër nuk e zbatoi ish-kryeministri pasi mbajti rreth një orë fjalën me mikrofon para dhjetëra demokratëve.