Sali Berisha është shprehur se ditën e sotme ambasadorët e vendeve kryesore, përfshirë ambasadoren e OSBE-së, hodhën poshtë deklaratat e kryedemokratit Lulzim Basha, lidhur me takimet me përfaqësuesin e qeverisë për Reformën Zgjedhore.
Komentet Berisha i bëri gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, përpara dhjetëra të pranishmëve që ndodheshin poshtë pallatit ku ai jeton.
Berisha tha se Basha është peng i kryeministrit Edi Rama dhe po bëjnë gjithçka për shkatërrimin e opozitës në vend.
“Sot në të vërtetë nëse ndalemi dhe analizojmë se çfarë ndodh me Shqipërinë, me narkoshtetin shqiptar. Në Shqipëri çdo sekondë, orë, ditë e javë, ndodh një betejë, një përballje mes krimit, drogës, vjedhjes së shqiptarëve dhe qëndresës tuaj.
Shqipëria anë e kënd është e mbuluar sot nga velloja e zezë e krimit shtetërore, e krimit të shndërruar në pushtet.
Sot ambasadorët e vendeve kryesore, përfshirë OSBE, reaguan me deklarata duke hedhur poshtë deklaratën e pengut të Edi Ramës, Lulzim Bravës.
Miqtë e mi!
Ajo deklaratë e tij tregonte se çfarë shpërfytyrimi, në ç’shkallë është shpërfytyruar ky njeri, i cili shitjen e tij te Edi Rama, aktet e tij të turpshme të diktuara nga pengmarrësi i tyre, kërkoi të ua paraqesë shqiptarëve si autorizim të ambasadorëve të vendeve kryesore në Tiranë.
E vërteta është se ai bëri vetëm mashtrimin e radhës.
Nga ana tjetër të dashur miq, kjo parodi dëshmon edhe njëherë se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Se me Edi Ramën ne veç se do të firmosim grabitjen e radhës të votës tonë.
Në këtë aspekt, beteja juaj, beteja e demokratëve është jetike, vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Edi Rama zhvilloi me 14 maj farsën elektorale më të shëmtuar.
Komuniteti ndërkombëtar publikoi një raport i cili ju garantoj ju, është fjalë për fjalë, mos më i keq, se sa raporti i zgjedhjeve të Vuçiçit në Serbi. Por Beogradi dha një mësim, u derdh në rrugë, nuk lëshoi rrugën dhe zbrapsi diktatorin e tij, dhe faktikisht në Beograd do të fillojë fitorja e opozitës.
Edi Rama bëri gjithçka të asgjësojë opozitën, dështoi në zgjedhje. Bëri gjithçka ta asgjësojë në parlament. Dështoi në parlament.
Bëri gjithçka me organizatën e tij kriminale, skapin e partisë të izolojë Sali Berishën, duke besuar se në këtë mënyrë i dha një goditje fatale opozitës.
Por gaboi rëndë, sepse opozita në Shqipëri qëndron mbi të gjitha, me idealet fisnike të lirisë së shqiptarëve.
Qëndron në dinjitetin njerëzor të shqiptarëve.
Qëndron në dashurinë e madhe për kombin.
Qëndron në dashurinë e tyre për vendin.
Qëndron në vendosmërinë e tyre për një Shqipëri dinjitoze, të lirë, zonjë, një tokë të bekuar.
Ndaj dhe në emër tuaj, ftoj çdo demokrate e demokrat të ngrihet kudo që është në betejë pa kthim kundër këtij armiku, jo vetëm të PD-së, por mbi të gjitha armikut të lirisë dhe pluralizmit politik të shqiptarëve, të qenies së shqiptarëve, të identitetit të shqiptarëve, të sotmes dhe të ardhmes së tyre.
Çdo demokrat dhe demokrate është i ftuar sot të ngrihet në emër të sakrificave që ka bërë gjer sot, të trashëgimisë së partisë tij, të interesit demokratik dhe atij kombëtar.
Edi Rama është në pushtet vetëm e vetëm për shkak të indiferencës. Ju garantoj se ai përfaqëson një kalbësirë, që shkërmoqet me shpejtësi marramendëse”, tha Berisha.
Kujtojmë se që prej dhjetorit të vitit të kaluar, Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO, me akuzën për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.