Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se dosja e inceneratorëve tregon se qeveria e kryeministrit Edi Rama është e korruptuar.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha akuzoi Strukturën e Posaçme (SPAK) se nuk guxon t’i konfiskojë inceneratorët, të cilat sipas tij, janë vepra krimi.
“Dosja më e vërtetuar gjer sot, është dosja e inceneratorëve. Edi Rama është përgjegjës kryesor, çfarë ndodh sot? Zimbabve ka pasur të njëjtët skemë dhe të njëjtët personazhe. E ka anuluar dhe ka konfiskuar çdo gjë. Për herë të parë, prokuroria nuk guxon dhe bën sikur heton, nuk guxon të konfiskojë veprën e krimit.
Përkundrazi, për të treguar se me qëllimin e saj pasiv është bashkautore në këtë vjedhje, përse nuk e bën këtë SPAK? Sepse ajo vepër krimi është e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Kur SPAK nuk e bën këtë, do ta bëjnë qytetarët”, theksoi kryedemokrati.