Kryesore Berisha sulmon bashkëshorten e Bashës, reagon PD: Emri i tij do mbahet...

Berisha sulmon bashkëshorten e Bashës, reagon PD: Emri i tij do mbahet mend si një non grata për korrupsion

Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha për bashkëshorten e kreut aktual demokrat Lulzim Basha, Aurela Bashën. Pas akuzave nga Lezha, edhe një ditë më parë Berisha akuzoi sërish Bashën se është pronar kompanie bastesh me bazë në Qipro, por që janë në emër të bashkëshortes së tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, PD, i quan këto akuza mashtrime dhe shpifje, ndërsa thekson që për hallin e tij, Berisha dhunoi shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati për gjakderdhje.

“I deklaruar non grata për korrupsion bashkë me familjen e tij, dhe i braktisur nga demokratët pas dhunës së 8 janarit, Sali Berisha po sillet vërdallë nëpër Shqipëri duke thënë çdo ditë gënjeshtra të reja për Lulzim Bashën dhe familjen e tij. Për të dytën herë Sali Berisha, ky gënjeshtar ordiner, shpifi për bashkëshorten e kryetarit të PD. Ky është një mashtrim i ri nga njeriu që për hallin e tij dhunoi edhe shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati të derdhë gjakun e tyre. Ky që për hallin e tij ka qenë gjithmonë gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë. Por ai është vetëm një e shkuar e keqe për PD-në dhe gjithë shqiptarët, dhe emri i tij do mbahet mend si një non grata për korrupsion”, thuhet në reagim.