Sali Berisha në një deklaratë për shtyp komentoi masën e sigurisë ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj. Ai tha se aktakuza është shkruar në zyrat e kryeministrit Edi Rama.
“Aktakuza për Ilir Beqën, e shkruar në zyrat e Edi Ramës, është një tallje e ulët, cinike, me shqiptarët, është dëshmi tjetër flagrante e shndërrimit të SKAP-it në një organizatë të rrezikshme kriminale për shoqërinë shqiptare. Ajo është de jure dhe de facto, amnistia e dytë brenda 4 muajsh nga SKAP-i i partisë, për hajdutin Ilir Beqaj dhe mbrapa tij, Edi Rama. Aktakuza e diktuar nga Edi Rama e SKAPI-t të partisë për Beqën, për shpërdorim detyre se nuk parandaloi konfliktin e interesit mes biznesmenit dhe vartësit, dmth mes Rrapajt dhe Rrjepajt, se nuk ka konstatuar kostot e fryra, është një tallje e ulët cinike për shqiptarët, është dëshmi totale e keqpërdorimit të SKAP si një organizatë kriminale në funksion të pushtetit të Edi Ramës, është amnistia e dytë në katër muaj e Beqës nga Edi Rama dhe SKAP i tij. Me akuzën e dytë për shpërdorim detyre, de facto amnistinë e dytë të Ilir Beqës brenda 4 muajsh, Edi Rama provoi dje në mënyrë përfundimtare se ai është pronari kryesor, është aksionari i parë me distancë i aferës së vjedhjes së dytë të shekullit, apo siç e quajnë tani rëndom qytetarët, inceneratorëve të shëndetësisë. Kurse Beqaj është thjesht hajduti i tij i dobishëm. Rrjepaj dhe stër-Rrepaj janë vetëm pronarët në letër, apo Zotot dhe Mërtirët e kësaj afere”, tha Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, Beqaj është fajtor direkt për çështjen e sterilizimit.
“Ilir Beqaj është fajtor direkt, pasi ka firmosur studimin-mashtrim, sipas të cilit dhënia me koncesion do të ulte 3 herë çmimin, ndërkohë që kjo dhënie e rriti çmimin e sterilizimit 83 herë. Ilir Beqaj është përgjegjës direkt para ligjit, prandaj e shpëton Edi Rama, sepse me firmën e tij në kundërshtim me çdo praktikë ligjore, ka firmosur pikët që i ka dhënë Investalit të Ramës, kompanisë Rama-Rrapaj, në një kohë kur kjo nuk ishte kurrë detyrë e ministrit”, shprehet ai.