Masa e sigurisë arrest në shtëpi, nuk e ka ndaluar ish-kryeministrin Sali Berisha që të dalë sërish në ballkonin e shtëpisë dhe ti drejtohet me një fjalim simpatizantëve të tij.
Sali Berisha u ka bërë thirrje të rinjve të ngrihen në protestë për të rivendosur demokracinë duke e krahasuar veten me sinjalin e Batman që ndizej në Gotham City sa herë banorët kishin nevojë për ndërhyrjen e tij. Por Berisha tha se ai nuk ishte heroi që mendonin të gjithë, sepse heronjtë janë të rinjtë.
Ai e ka cilësuar betejën që demokratët janë duke zhvilluar në disa fronte me qeverinë, si një betejë që duhet fituar mbi të gjitha për rininë. Sipas Berishës të rinjtë janë ndër shtresat e goditura më rëndë nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.
“Për të gjitha këto, agresioni i narkoshtetit, i narkodiktaturës, i kësaj bande me në krye Edi Ramën, që vjedh çdo ditë shqiptarët, ka bërë që Shqipëria të boshatiset nga të rinjtë. Ka bërë që në 8 vite, nga ky vend të largohen mbi 500 mijë të rinj”, tha Berisha.
“Por sa mund ta ëndërrojnë sot të rinjtë shqiptarë? Për të ardhur në Tiranë, ai duhet të shkollohet. Edi Rama ka vendosur mesataren si satër për të mbyllur dyert për universitetet për më të varfrit e këtij vendi. Sa mund të ndërtojë folenë e të ardhmes në Shqipëri të rinjtë shqiptarë, kur në universitetet e Tiranës, ata paguajnë një tarifë ndër më të lartat në Europë. Ata paguajnë një tarifë 5 herë më të lartë se në Austri. 5 herë më të lartë se në Francë, Itali, Gjermani. Si mund të jetë Tirana vendi i ëndrrave të të rinjve shqiptarë, kur qiratë në këtë kryeqytet, falë drogës dhe korrupsionit, janë nga më të lartat në Europë? Si mund të jetë ky qytet i ëndrrave të të rinjve, kur ata duhet të punojnë 60 vite për të blerë një apartament?”
Sipas ish-kryeministrit, qeverisja e 10 viteve të fundit, e ka bërë që rininë të mos e lidhë asgjë tjetër me Shqipërinë përveç prindërve, të cilët i shtyjnë të emigrojnë pasi nuk kanë çfarë t’u sigurojnë në shtëpinë e tyre.
Berisha e krahasoi veten me personazhin e filmit Batman, duke thënë se ai është sinjali që shtyn të rinjtë, si heronj të vërtetë të këtij vendi, që të luftojnë për kauzat e drejta.
“Kjo betejë para së gjithash është një betejë për rininë. Dëgjoj dhe më shkruajnë se ti je Sali je shpresa. E vërteta është tjetër. E vërteta është se për të rinjtë, unë nuk jam heroi i tyre, por jam thjesht si sinjali në filmin Batman që fton heronjtë nga qielli. Dhe unë, kam bindjen se ata heronj janë djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, janë ata të cilët të angazhuar në këtë betejë vendimtare, të angazhuar në këtë betejë për shpresën, për të ardhmen, do t’i japin kthesën, do të bëjnë që kjo erë kthese dhe shprese të fryjë në mbarë Shqipërinë dhe opozita, demokracia të rivendoset përsëri.”