Kryesore Berisha “thërret” Kuvendin e PD më 11 dhjetor: Do vendos marrëdhënie më...

Berisha “thërret” Kuvendin e PD më 11 dhjetor: Do vendos marrëdhënie më të mira me SHBA

Ish-kryeministri Sali Berisha shpalli nga Lezha datën 11 dhjetor si ditën kur do të mbahet Kuvendi i Partisë Demokratike.

“Miqtë e mi, mjafton të hidhni sytë në televizione se si e gjithë propaganda e qeverisë si janë aktivizuar të gjithë analistët e flaktë e të zjarrtë të qeverisë në mbështetje të peng Bashës, në mbështetje të pengut të Edi Ramës. Këto mjaftojnë që ne të hapim rrugën tonë, të ringremë Partinë Demokratike dhe nga Lezha kam kënaqësinë e madhe të informoj shqiptarët në Shqipëri, të informoj demokratët në Shqipëri dhe mbarë botën se më 11 Dhjetor do mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha.

Ai përsëriti edhe njëherë se në këtë Kuvend do të ketë ndryshime të mëdha në statut, si dhe do të kthehet referendumi, ku anëtarët do të votojnë për kreun e partisë dhe kryeministrin.

“Nuk do gjejmë kurrë më të mirë nëse nuk heqim këtë. Do të jetë në statut edhe kryeministri, të votohet nga ju. Pse është kryetar partie, nuk mund të jetë kryetar partie. Do kthejmë referendumin dhe ju do votoni jo vetëm për kryetarin, por dhe kryeministrin. Do të pranojmë fraksionet, jemi shtëpia e lirisë.

Ju ftoj ju të angazhoheni në një dialog me çdo demokrat. Askush nuk duhet të qëndrojë zemërthyer. Nuk kanë arsye të mbështesin apo të qëndrojnë të ftohur me ne se mbështesin Bashën. Ky njeri na udhëheq nga humbja në humbje, nuk gjen të dytë. Më e keqja e Bashës është se mashtron. Unë mbështes vettingun e politikanëve, por jo mashtrimin. E dërguam ligjin në Venecia, ku mbrapa kishte propozuar dhe SPAK, e hodhi poshtë komisioni. Informoj shqiptarët se më 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri deklaroi nga Lezha se shumë njerëz janë duke e cilësuar nismën e tij “Foltorja” si anti-amerikane.

Berisha siguroi personat e pranishëm në sallë se kjo lëvizje nuk është aspak antiamerikane dhe shtoi se ai së bashku me PD do të vendosin marrëdhëniet më të mira me BE dhe SHBA.

“Në rast se Basha, të cilin e këshilloj që kur të kujtojë Lezhën, të rrijë gjithë natën pa gjumë duke u lutur për besëprerjen e tij nëse atë vendim do ta merrte duke mbledhur këshillin kombëtar, duke e votuar, unë do të pranoja çdo vendim. Por vendimin ai e mori pyetur njeri, pasi ata që e kanë marrë peng nuk e lejonin të merrte mendimin tuaj. Sepse e dinin që ju nuk shiteni dhe jeni njerëz të lirë. Ai nuk guxoi t’ia çojë Këshillit Kombëtar. “Foltorja” nuk është kundër miqve tanë. Sali Berisha bashkë me ju do të ngrejë PD fuqishëm, do ta çojë atë në fitore. I them vajtorëve të mjerimit se Sali Berisha dhe kjo parti do vendosin marrëdhëniet më të mira me BE dhe SHBA. Peng kryetari dhe ndonjë zëdhënës mjeran i tij që na etiketon ne si takime anti-amerikane janë qesharakë”, tha Berisha.