Ish-kryeministri, Sali Berisha, konfirmoi në studion e “Ditarit” në A2 Cnn se ka kaluar koronavirusin dhe ka ende antitrupa. Ai pranoi se do të vaksinohet sapo t’ia këshillojë mjeku, ndërsa u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që vaksinohen të shohin datën e skadencës në flakon.
“Unë e kam kaluar Covid-19, dhe para 3 javëve kam bërë testin e antikorpeve dhe më doli 145 antikorpe. Mjeku më tha që në këto nivele mund të shtyhet, por sapo të më këshillojë mjeku, unë do të vaksinohem. I them çdo shqiptari që t’i kërkojë mjekut a infermieres datën e skadimit të flakonit”.
Berisha akuzoi Ramën se po luan me vaksinën dhe thotë se Shqipëria duhet të marrë shembullin e Serbisë, e cila sipas tij tregoi seriozitet.
“3 javë më parë në Beograd, kryeministrja Brnabic deklaroi se bëmë me shpejtësi një dozë AstraZeneca se skadonte brenda pak ditësh, sepse nuk luhet me vaksinën siç luan Rama. Serbia është vend kampion, qeveria serbe tregoi seriozitet të merituar, kontraktoi vaksinat Pfizer dhe është e para në Europë pas Britanisë që ka marrë vaksinat nga Pfizer. Po kështu i ka marrë Izraeli duke paguar paradhënie me çmim ndër më të shtrenjtit. Në këtë rrugë, Serbia ia doli të ketë rezultat më të lartë në Evropë për vaksinimin, kurse Shqipëria në 5 vendet e fundit në Europë”.